Berisha nis stërvitjen me Lacion, Mavraj vazhdon të ngelet i dëmtuar

Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, të enjten ka zhvilluar seancën e parë stërvitore me klubin e ri, Lazio, ndonëse ende zyrtarisht nuk dihet se cilit ekip i përket - Lazios apo Chievos. 24-vjeçari muaj më parë pati firmosur kontratë me Chievon, ndërsa në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, ish-portieri i Kalmarit firmosi edhe me Lazion. Rasti i Berishës është depozituar edhe në FIFA dhe në Federatën e Suedisë.Të dyja skuadrat pretendojnë se Berisha i përket ekipit të tyre. Presidenti i Lazios, Claudio Lotito pretendon se kontrata është në përputhje me rregullat. "Ne kemi bërë marrëveshje me ekipin, pastaj me lojtarin dhe kemi paguar kartonin e tij dhe nuk e kuptoj se çfarë elemente negative ka. Lojtari kur ka firmosur kontratë me Chievon nuk ka ditur gjuhë tjetër veç shqipes dhe kjo bie ndesh me rregullat. Ai nuk e ka ditur se çfarë po nënshkruan. Duhet të svazhdohet në bazë rregullave", ka thënë Lotito për "calcioline.com".Ngelet të shohim këtë fundjavë nese Berisha do të ulet në stolin e lacialve. Ndërkohë mbrojtësi kosovar, Mërgim Mavraj, ka pak gjasa që të luajë kundër ish-skuadrës së tij, Bochumit, në fundjavë. Kjo edhe sipas trajnerit të Greuther Furthit, Frank Kramer që ka dhënë një intervistë për "nordbayern.de".Mavraj i mungoi edhe kombëtares së Shqipërisë për ndeshjen me Slloveninë e Islandën. "Mërgimi është duke u përmirësuar. Po bën përgatitje atletike dhe nëse nuk ka probleme, atëherë do të nisë edhe stërvitjet bashkë me ekipin. Ndoshta mund të aktivizohet në fund të javës. Por do të jetë shumë e vështirë", ka thënë Kramer.Berisha dhe Mavraj janë dy ndër lojtarët më të mirë të kombëtares sonë që kanë lënë më shumë përshtypje në ndeshjet e zhvilluara.