Eurobasket 2013, Lituania mund Francën

Dje janë zhvilluar tre takimet e para të fazës së dytë në Kampionatin Evropian të basketbollit që po mbahet në Slloveni.Në grupin E, dje kanë fituar Lituania, Letonia dhe Serbia. Lituanezët, të cilët u kualifikuan në fazën e dytë vetëm falë fitores së fundit kundër Bosnje e Hercegovinës, kanë arritur ta mposhtin Francën, e cila në këtë fazë ka hyrë si favorite e këtij grupi, duke pasur parasysh paraqitjet e mira në fazën e parë, ku shënuan katër fitore në pesë ndeshje.Lituania dominoi gjithë takimin dhe në fund triumfoi me shifrat, 76:62. Lojtarët më të dalluar tek Lituania ishin Seibutis, me 15 pikë dhe Linas Kieza, me 7 pikë e 7 kërcime, ndërsa te francezët më i miri ishte Nando De Kolo, me 12 pikë, Toni Parker realizoi 11 pikë.Ndërkohë, Letonia ka zhvilluar një tjetër ndeshje shumë të mirë. Në sfidën e parë të fazës së dytë në Grupin E, letonezët arritën ta mposhtin me lehtësi Ukrainën, me rezultat 85:51, duke i rritur shanset për kualifikim në çerekfinale. Lojtari më i mirë tek letonezët ishte Kristaps Janiçenkos, me 14 pikë, ndërsa me lojë të mirë u dalluan edhe Kuksiks, me 13 pikë dhe Meiers, me 11 pikë e 10 kërcime, ndërsa tek ukrainasit u dallua Sergei Gladir, me 12 pikë.Serbia pas humbjes në sfidën e fundit në fazën e parë kundër Malit të Zi, ka arritur ta mposhtë Belgjikën, me rezultat 76:69. Në radhët e Serbisë u dallua Nenad Krstiç, me 17 pikë, derisa tek belgët u dallua Ven Mukubu, me 16 pikë.