Gjermania fiton por nuk kualifikohet ende

Gjermania ka arritur një fitore të lehtë ndaj Ishujve Faroe me rezultatin 3-0, dhe është vetëm 1 pikë pranë kualifikimit për në Botërorin e "Brazil 2014".Ashtu siç pritej, panzerat kanë dominuar të gjithë takimin duke arritur një rezultat të njëjtë si në sfidën ndaj Austrisë.Në minutat e para, skuadra e Joakim Lëv tregoi menjëherë se ka hyrë në fushë për të marrë tre pikë dhe për të siguruar kualifikimin. Në minutën e 23-të, mbrojtësi i Arsenalit, Mertesaker, realizon golin e parë pas një asisti të dhuruar nga Kedira. Kështu do të mbyllej dhe pjesa e parë që nuk do të prodhonte gola të tjerë edhe pse patën shumë raste.Në pjesën e dytë, Gjermania shënoi edhe dy gola. Blerja më e re e Arsenalit, Mesut Ozil, realizoi nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 74-të, ndërsa për rezultatin përfundimtar mendoi Tomas Myler, që vulosi rezultatin 3-0.Gjermania me këtë fitore arrin në kuotën e 22 pikëve duke qenë vetëm 1 pikë larg kualifikimit, pasi Suedia e vendit të dytë arriti të fitojë 1 me 0 me gol të Zlatan Ibrahimoviç. Skandinavët janë 5 pikë prapa panzerave. Ndërsa Austria lufton për vendin e dytë në grupin C pasi është vetëm 3 pikë larg Suedisë.