Shuhet ëndrra "Brazil 2014"
Ka marrë fund në të ftohtin skandinav në Rekjavik, ëndrra kuqezi për të qenë pjesë e Botërorit 2014.Brenda katër ditësh, të gjitha shpresat janë bërë pluhur e hi për kombëtaren, e cila tashmë është e njëjtë si Shqipëria e eleminatoreve të kaluar, në vendin ku i përshtatet më shumë, në atë të parafundit. Mbrëmja e djeshme ka qenë shumë e errët për përfaqësuesen shqiptare, e cila jo vetëm është mundur 2-1, por ka zhgënjyer totalisht në lojë.Kuqezinjtë ishin të shokuar duke zhvilluar takimin më të dobët të eleminatoreve. Të gjithë gabuan nga pak, ndërsa askush nuk mundi të tregojë sadopak nga vlerat e tij, as vet tekniku Italian De Biazi, as vet lideri Cana, që bëri gabime të panumërta në mbrojtje, dhe as një mesfushorë si Basha që nuk zotëroi dot një top në mesfushë. Madje nuk shfaqën as grintën e zakonshme, teksa dukeshin në fushën e lojës me shprehjen "ta mbyllim sa më parë".Diferencë të madhe tregoi edhe tekniku Lagerbak, që për asnjë sekondë nuk e harroi skuadrën e tij, duke e udhëhequr në çdo veprim, ndërsa De Biazi ishte i strukur në strehën e bankinës, i ftohur nga loja skandaloze e lojtarëve të tij. Edhe zëvendësimet e kryera nga trajneri italian i kuqezinjve, nuk dhanë asnjë stimul më shumë për të ndryshuar fatin e ndeshjes, ashtu sikurse ndryshimi i modulit taktik.Islandezët e nisën mirë ndeshjen. Teksa sulmojnë i lëshojnë sinjalin e parë Berishës që zgjatet në trekëndësh, por kuqezinjtë gjejnë të parët golin me anë të Valdet Ramës, që në hyrje të zonës lëshon një goditje në cepin e portierit kundërshtar. U dukë se gjërat tashmë do të ndryshonin pas golit, po nuk ndodhi kështu, pasi vetëm pas dy minutash vendasit barazuan fal një gabimi foshnjarak të Telit që gabon në mbrojtje. Bjarnson është i vetëm në zonë duke barazuar. Loja më pas foli e gjitha për Islandezët që e bombardojnë Berishën. Portieri i Lacios, reziston deri në fillimin e pjesës së dytë, ku në minutën e 47-të, Sigborson fal një veprimi spektakolar e dërgon topin në rrjetë për herë të dytë.Pas këtij goli kuqezinjtë nuk kanë arritur të reagojnë dhe thuajse asnjëherë nuk kanë arritur ta vënë në vështirësi portierin e vendasve. Me gjithë ndërhyrjet e De Biazit, asgjë nuk ndryshoi dhe mbrëmja ngeli e zezë.Nëse në Slloveni u mundëm dhe ia lamë fatit dështimin, kësaj here e kemi gatuar vetë fundin e ëndrrës kualifikim. Në të dy rastet e golave të islandezëve mbrojtja bëri gafa amatoreske, reparti më i kritikuar i tanëve në këtë sfidë. Mungesa e Mavrajt tregoi në të dyja ndeshjet kualifikuese se krijon një gropë të madhe në prapavijën kuqezi, aty ku edhe Cana ka treguar se nuk mund të bëjë asgjë.Aspekti fizik bëri gjithashtu diferencën, me vendasit të palodhur deri në sekondën e fundit, ndërsa kuqezinjtë mezi i lëviznin këmbët, a thua se një ditë më parë kishin zhvilluar një ndeshje tjetër. Si përfundim, në Islandë u "shumëzua me zero" tërë ajo punë e bërë deri para këtij muaji, nuk vlejnë as 10 pikët e grumbulluara, sepse jemi të parafundit në Grupin E, aty ku rrezikojmë seriozisht të mbetemi deri në fund."Nëse në fund nuk e kurorëzon veprën" atëherë është e kotë të shpresosh.