Italia "i falet" Xhilardinos dhe Bufon

Italia ka arritur të fitojë kundër Bullgarisë minimalisht 1-0 ,duke blinduar vendin e parë në grupin e saj. Në Palermo ekipi i Prandelit shënon vetëm një herë në minutën e 38-të falë një goli të "ujkut të vjetër të golit", Alberto Xhilardino. Të kaltrit e nisin takimin pa Osvaldon dhe Balotelin, por kanë një Xhilardino që e njeh shumë mirë rrugën që shkohet drejt golit.Ishte 8 tetori i vitit 2005, kur Xhirlardino shënoi në Palermo ndaj Sllovenisë, duke e ndihmuar të kualifikohej në Kupën e Botës së vitit 2006, dhe tani duket sikur historitë përsëriten. Bomberi i Xhenoas shënon në minutën e 38-të, pas një asisti të Candrevës nga e majta. Italia kontrolloi lojën gjatë gjithë takimit.De Rossi, Tiago Mota dhe Pirlo i siguruan qetësinë nevojshme në mesfushë, që të dëshpëruar kërkonin golin. Gjatë fraksionit të dytë të lojës Italia bie për sa i përket ritmit të lojës, por sërish nuk lëshon terren për të pësuar gol. Bullgarët nga ana tjetër mundohen të ngacmojnë portën e Bufon me disa raste të pastra, por gardiani i Juventusit është në lartësinë e e duhur, duke mos lejuar të kalojë asnjë top. Rastet më të pastra për miqtë ishin në minutat e 48-të dhe 62-të.Prandeli vendos të reagojë, duke hedhur në fushë edhe Astorin dhe Xhiakerinin për të freskuar ekipin. Ndërsa deri në fund të kaltrit do të arrijnë të marrin 3 pikë jetike për eleminatoret e Kupës së Botës "Brazil 2014". Italia deri tani nuk ka asnjë humbje, ndërsa do të mundohet pas katër ditësh në Torino të sigurojë edhe kualifikimin matematikisht.