Basketboll, Gjermania mund Francën, Spanja e nis mbarë

Në Slloveni ka startuar dje kampionati i 38-të evropian për meshkuj në basketboll, dhe që në fillim kemi dy befasira të mëdha.Izraeli pas vazhdimeve prej pesë minutave ka pësuar humbje nga Britania e Madhe me rezultat 71:75 ndërsa finlandezët kanë arritur të mposhtin nënkampionin e botës, kombëtaren e Turqisë, 55:61.Gjeorgjia, e udhëhequr nga Igor Kokoshkov, ka shënuar fitore bindëse kundër Polonisë me rezultat 84:67.Kurse Bosnja-Herzegovina ka pësuar humbje me rezultat 86:75 kundër LetonisëPërfaqësuesja e Gjermanisë ka shënuar fitore në takimin e parë në Grupin A, në Kampionatin Evropian të basketbollit që po zhvillohet në Slloveni. Gjermanët edhe pse në këtë turne paraqiten pa yllin kryesor, Dirk Novicki, kanë arritur të mposhtin Francën pa vështirësi, me rezultat 80:74.Më të dalluarit për këtë fitore të gjermanëve ishin Robin Benzing, me 19 pikë dhe Luka Staiger e Niels Gifej, me nga 14 pikë. Te francezët, më efikasi ishte Toni Parker, me 18 pikë, por atij i mungoi përkrahja e duhur e bashkëlojtarëve të tij.I vetmi basketbollist tjetër me pikë dyshifrore te Franca ishte Mikel Gelabale (11). Evropianin me fitore e ka nisur edhe Italia që arriti të mposhtë Rusinë, me shifrat 74:68. Luixhi Datome i udhëhoqi italianët me 25 pikë, kurse Marko Belinelli kontribuoi me 16 pikë. Në anën tjetër te rusët më efikasi ishte Aleksej Shved, me 17 pikë. Fitore me rezultat tejet të ngushtë realizoi Sllovenia, e cila e mposhti Çekinë, me rezultat 62:60, nderisa Serbia mposhti Lituaninë, me shifrat 63:56.Skuadra kampione në fuqi e Evropës në basketboll, Spanja, e ka nisur me këmbë të mbarë mbrojtjen e trofeut në Evropianin që po zhvillohet në Slloveni. Spanjollët, të cilët në këtë kampionat kanë ardhur pa disa prej yjeve kryesore si Pol Gasol, Huan Karlos Navarra e Serge Ibake, arritën ta mposhtin me lehtësi Kroacinë, në ndeshjen e parë, me rezultat 68:40.