Mashtrimi me tatime, Messi paguan pesë milionë euro

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi dhe babai i tij, Jorge, u kanë paguar pesë milionë euro autoriteteve spanjolle pasi ishin akuzuar për mashtrim me tatime. Në një komunikatë të gjykatës në Gava në afërsi të Barcelonës thuhet se ata kanë depozituar 5 milionë euro euro në muajin e kaluar si një "pagesë e detyrueshme".Argjentinasi dhe babai i tij u akuzuan se kanë fshehur mbi katër milionë euro duke mos i përfshirë të gjitha hyrjet për periudhën 2006-2009. Shitja e të drejtave reklamuese të 26-vjeçarit është fshehur duke përdorur një mbulesë përmes kompanive në Uruguai, Belize, Zvicër dhe Britani të Madhe.Megjithatë, Messi ka mohuar të ketë informacion për të gjitha këto duke thënë se nuk e ka idenë se për çfarë bëhet fjalë, sepse ai dhe babai i tij nuk merren me gjëra të tilla, por kanë të angazhuar njerëz të tjerë."Ne kemi avokatët tanë dhe menaxherët e pasurisë që merren me këto punë dhe ne u besojmë dhe ata do ta zgjidhin këtë çështje. E vërteta është se unë nuk e kam idenë për gjithë këtë, prandaj kemi njerëz që merren me këto punë', pati deklaruar katër herë futbollisti më i mirë në botë.Messi është banor i Barcelonës që nga viti 2000, ndërsa në vitin 2005 mori nënshtetësinë e Spanjës. Ai është njëri nga futbollistët më të paguar në botë dhe përfiton rreth 15 milionë euro nga paga e tij vjetore së bashku me bonuset sipas Forbes. Po ashtu, ai përfiton rreth 16 milionë euro nga reklamat e kompanive, si Adidas, PepsiCo, P&G e Turkish Airlines.