Kukësi starton sot Superligën
Pas një aventure të bukur në Europa Ligë, ku arriti edhe të shkruaj historinë e futbollit shqiptar, Kukësi do të rikthehet të luaj sërish, por këtë herë me një tjetër petk, atë të favorites së padiskutueshme.Verilindorët sezonin e kaluar erdhën si debutues dhe arritën të sigurojnë një vend për në Kupat e Europës, ndërsa sivjet në përballjen e parë do të kenë një ekip debutues si Lushnja. Verdhjeshilët qëndruan katër sezone jashtë Superligës dhe do të synojnë një rikthim të bukur në duelin që do të zhvillohet në "Roza Haxhiu". Tifozët lushnjarë janë të entuziazmuar dhe kërkojnë një fitore të madhe, por do ta kenë shumë të vështirë, pasi përballë do të kenë një ekip shumë të fortë si Kukësi.Verlindorët nga ana tjetër, kanë pasur të gjithë kohën e nevojshme për të rikuperuar energjitë e humbura në ndeshjen e së Enjtes, pas një përfaqësimi dinjitoz në Turqi ku humbën 3-1 por nuk u turpëruan. Fitimiet e jashtëzakonshme në Europa Ligë, kanë bërë që në ekipin e drejtuar nga Cungu të mbizotërojë harmonia dhe të formohet një grup shumë i mirë për të konkurruar këtë sezon edhe Skënderbeun.Por si do të jenë të rreshtuar të dyja skuadrat në fushën e lojës?Trajneri i Lushnjes, Artan Bano, do të hedhë në fushë formacionin 4-4-2.Në portë do të jetë Spaho, në mbrojtje: Cimli, Sula, Bjelkanoviç dhe Morajiu, në mesfushë: Korreshi, Mihani, Çela, Trashi, ndërsa në sulm do të jetë dyshja Canka dhe Fataki.Nga ana tjetër Kukësi ka një mori zgjedhjesh pas afrimeve të fundit, por strategu Cungu pritet të hedhë këtë 11-she, 4-4-1-1.Në portë do të jetë Halili, në mbrojtje: Smajli do ta nis nga minuta e parë, ndërsa të tjerët do të jenë Brahja, Malota dhe Hallaçi, në mesfushë Bratiç do të zërë vendin e Musollit, ndërsa Progni, Allmuça dhe Hosha do të luajnë si gjithmonë. Cikalleshi do të mbështesë sulmuesin e vetëm Popoviç.Takimi do të nisi në orën 17:00 dhe pritet të dhurojë shumë spektakël dhe emocione për ta mbyllur në mënyrën sa më të mirë javën e parë të Superligës.