Zhgënjen Tirana, Skënderbeu bën detyrën

Janë zhvilluar dje dy ndeshje të tjera për javën e parë të Superligës shqiptare. Tirana ka zhgënjyer në debutimin e saj përpara tifozëve kundër Laçit në ndeshjen e zhvilluar në orën 17:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ndërkohë që kampionët në fuqi të Skënderbeut kanë filluar mbrojtjen e titullit kundër Besës, duke arritur një fitore të vlefshme 1-0 ndaj Besës.Ndeshja mes Tiranës dhe Laçit ka qënë e një niveli të dobët, me dy skuadra që nuk kishin ide për të arritur rezultatin e kërkuar nga tifozët respektivë. Skuadrat kanë ndarë nga një pikë në këtë debutim në Superligë në një ndeshje që tregoi dy fytyra. Në pjesën e parë bardheblutë e Nevil Dedes kanë treguar një dëshirë më të madhe për fitore, por duke mos qenë të saktë përpara porte. Çota pati një rast ideal afër fundit të pjesës së parë për 24 herë kampionët e vendit. Ai rrëmbeu një top nga gabimi i mbrojtjes kurbinase, por nuk e shfrytëzoi me saktësi, ndërsa portieri Bakaj bëri një superpritje përballë gjuajtjes së Peposhit në një moment tjetër.Në pjesën e dytë sikur është zgjuar disi Laçi, që bën edhe një zëvendësim të shpejtë. Vucaj shfaqet më pranë portës kryeqytetase, në ndihmë të sulmuesit Nimani, duke tentuar edhe goditjet nga distanca. Në njërën prej tyre ka reaguar mrekullisht portieri Caka, duke evituar golin në rrjetën e tij. Një barazim që nuk i ka lënë të kënaqura të dyja palët, sepse Tirana luante në shtëpi dhe duhej ta niste kampionatin me fitore, ndërsa kurbinasit kanë dështuar të shfrytëzojnë momentin jo të mirë të bardhebluve për të dalë nga kryeqyteti me 3 pikë.Skëndërbeu ndërkohë ka debutuar me një fitore në këtë sezon të Superligës, duke mundur në fushën e saj rivalët kavajas të Besës, që janë ndëshkuar që në fillim të lojës nga një gol i Gjergj Muzakës në minutën e 2-të, gol që në fund rezultoi të ishte deçiziv duke qenë se ishte i vetmi për të gjithë ndeshjen. Në pjesën e parë Skëndërbeu ka qenë më kërkues, ndërkohë që në pjesën e dytë skuadra e Mirel Josës ka ulur ritmin, kjo edhe si pasojë e lodhjes që është ndjerë duke parë që të Enjten korçarët kanë luajtur 120 minuta në Europa League kundër Cernomorets Odesa.Start i mbarë për kampionët, që në këto dy javë pauzë për shkak të ndeshjeve të kombëtares mund të rikuperojnë energjitë dhe të rikuperojnë disa lojtarë që u dëmtuan në ndeshjet europiane.