Chelsea zyrtarizon transferimin e sulmuesit Samuel Eto'o

Chelsea dje ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit Samuel Eto'o nga skuadra ruse Anzhi. Kamerunasi ka firmosur kontratë njëvjeçare me Chelsean, ndërsa është lojtari i dytë që i është bashkuar Chelseat nga Anzhi. Të mërkurën skuadra londineze ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit ofensiv brazilian Willian nga po kjo skuadër për 38 milionë euro."Unë jam shumë i lumtur që i jam bashkuar Chelseat, por edhe në ethe pasi dua të nisi të luaj sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk ishte vendim i vështirë. Kam parë kualitetet që ka Chelsea dhe jam ndarë shumë i lumtur me trajnerin Jose Mourinho më herët, kështu që kur erdhi rasti, e pranova me kënaqësi", ka thënë Eto'o për faqen zyrtare të Chelseat.Eto'o e Mourinho në vitin 2010 me Interin kishin fituar tre trofetë e mundshëm , Ligën e Kampionëve, titullin e Italisë dhe Kupën e Italisë.Eto'o te Anzhi paguhej 20 milionë euro në vit, çfarë e bënte atë futbollistin më të paguar në botë, por për kalimin te Chelsea ka pranuar pagë dukshëm më të vogël. Anzhi ka ndërruar strategji duke vendosur të reduktojë dukshëm shpenzimet. Me këtë ndryshim, skuadra më nuk ishte në gjendje të paguante Eto'on dhe i kërkoi kamerunasit që të gjejë angazhim të ri.Trajneri i Chelseat, Jose Mourinho këtë verë ka kërkuar sulmuesin anglez të Manchester Unitedit, Wayne Rooney. Mirëpo, pasi dy oferta të tij u refuzuan nga M.United, ai vendosi të kërkojë lojtar tjetër.Eto'o gjatë karrierës tri herë ka fituar Ligën e Kampionëve, dy herë me Barcelonën (2005-06 dhe 2008-09) si dhe një herë me Interin (2009-10). Me Barcelonën ka fituar tri herë titullin e Spanjës dhe një herë Kupën e Spanjës, ndërsa me Interin ka një titull të Italisë dhe dy Kupa të Italisë, si dhe Botërorin e klubeve. Ai katër herë është shpallur lojtari më i mirë i vitit në Afrikë. Blutë kanë shpenzuar afro 74 milionë euro për futbollistë të rinj.