Kukësi në Turqi jo për "turp"
Sonte në mbrëmje do të zhvillohet edhe takimi i kthimit të Europa League për skuadrën e Kukësit. Verilindorët humbën ndeshjen e parë 2-0 në Tiranë dhe do të luajnë sonte në orën 18:30 në stadiumin "Husein Avni Aker" një ndeshje shumë të vështirë përballë është Trabzonspor që në sfidën e parë tregoi vlerat e saj.Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu nuk ka asgjë për të humbur sonte, ndaj edhe do të tentojë gjithçka duke hedhur në fushë një 11-shen që do të përpiqet t'i bëj ballë furisë turke. Në portë do të jetë Halili që deri tani ka treguar një formë mjaft të mirë. Në mbrojtje do të rreshtohen Hallaçi, Brahja, Malota dhe Smajli.Në mesfushë përpara mbrojtjes do të jenë Musolli dhe Allmuça, që sot do të djersisin shumë si para ashtu edhe mbrapa. Progni, Karabeci dhe Hoxha do të mbështesin pikën e vetme në vijën e parë të sulmit Cikalleshin. Kujtojmë se kjo do të jetë edhe sfida e parë zyrtare me bluzën e Kukësit për Smajlin dhe Cikalleshin nga minuta e pare, që do të kenë mundësinë për të treguar menjëherë vlerat e tyre.Trajneri i Kukësit Cungu ka premtuar se skuadra e tij do të luajë në sulm, sepse nuk ka asgjë për të humbur. Synimi sipas teknikut shkodran nuk do të jetë kualifikimi, por të bëjnë një paraqitje dinjitoze duke mos përsëritur disfatën e rëndë të Vllaznisë në vitin 2000, duke humbur me rezultat të përgjithshëm 10-0.Ndeshja do të arbitrohet nga një treshe arbitrash nga Çekia. Kryesor do të jetë Libor Kovarik. Stadiumi është 25 mijë vendësh, ndërsa në rast të një kualifikimi të mundshëm për Kukësin, gjë që duket paksa e pamundur, do të arkëtohen 1.3 milionë euro. Kompanitë e basteve favorizojnë shumë skuadrën turke, duke i dhënë një koeficent shumë të ulët vetëm 1.15, barazimi 6.75, ndërsa fitorja e Kukësit kuotohet me koeficentin 15.