Martino: Do të luaj edhe Neymar
Barcelona deri tani nuk e ka luajtur shumë kartën Neymar, por në ndeshjen e kthimit të Superkupës së Spanjës kundër Atletico Madridit që zhvillohet të mërkurën, braziliani për herë të parë këtë edicion, do të jetë titullar te Barça.Trajneri Gerardo Martino e ka lënë sulmuesin brazilian në pankinë deri në minutën e 60-të, gjatë tri ndeshjeve zyrtare që këtë edicion i ka zhvilluar Barcelona. Neymar gjatë kësaj vere u transferua te Barça nga skuadra braziliane Santos për një vlerë prej 57 milionë eurosh.Neymar shënoi golin e barazimit në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës të zhvilluar javën e shkuar në Madrid. Por të dielën në mbrëmje në ndeshjen e kampionatit ndaj Malagas sërish qëndroi si spektator në stol. Me mundësitë e mëdha për rikthimin e Lionel Messit për ndeshjen e kthimit të Superkupës dhe përkrahjen e tifozëve vendas, pritet që ky të jetë momenti i shpërthimit të sulmuesit 21-vjeçar. Tifozët e Barçës me padurim po presin ta shohin Neymarin nga minuta e parë."Më duket se nuk ka mbetur me kohë për Neymarin të qëndrojë si zevndësues. Ai tani është mentalisht i përgatitur dhe besoj se me Atleticon do të luajë prej fillimit", tha argjentinasi Martino, i cili muajin e shkuar zëvendësoi Tito Vilanovan."Gjëja e mirë është se Neymar po luan vetëm gjysmë ore, por gjatë kësaj kohe ai po bën gjëra pozitive për ekipin. Tani duhet të presim më shumë nga Neymar, sepse edhe hapësirat për të do të jenë më të mëdha".Hedhja në fushë e Neymarit në ekipin e parë në mënyrë graduale ka qenë lëvizje e zgjuar e trajnerit Martino dhe stafit të Barcelonës, të cilët nuk kanë dashur që braziliani të futet në intensitetin e ndeshjeve të ekipit pa u forcuar mirë."Ne nuk e kemi transferuar Neymarin për një apo dy ndeshje. Ai do të luajë shumë ndeshje dhe presim gjëra të mëdha nga ai. Ai deri më tani ka treguar aftësi të mira në adaptimin me ekipin dhe ligën spanjolle", tha drejtori sportiv Andoni Zubizarreta.Ndërkohë, Atletico Madridi ka zhvilluar një "seancë stërvitore" kundër Rayo Vallecanos (5:0) para ndeshjes së kthimit të Superkupës së Spanjës me Barcelonën. Trajneri Diego Simeone ka thënë se ekipi i tij do ta kërkojë trofeun e Superkupës dhe do të sulmojë edhe në ndeshjen e kthimit. Ndeshja e parë përfundoi me rezultatin 1:1. Atletico Madridi nuk e ka fituar Superkupën e Spanjës që nga viti 1985 kur mposhti Barcelonën.