Konferenca e PS, Basha: Pushteti lokal jashtë loje, pazare me asetet e vendit
Po ndahet torta në mënyre okulte.Në rend të ditës grabitja e pronave të bregut dhe stimulimi i bizneseve të fshehta që financuan në fushatë. Ky ka qenë komenti i kreut të ri të PD dhe kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha, lidhur me konferencën dy ditore të PS me titull “Shqipëria e Gjeneratës së Re”. Në rrjetin social facebook Basha thekson se konferenca nesër është vetëm fasade, pasi pazaret u bënë dje dhe sot.“Kryesocialisti ka thirrur disa arkitekte të huaj me të cilët ka punuar e qarkulluar konkurse në Bashki dhe ka perjashtuar në bllok të gjithë ekspertët e mirëfilltë shqiptarë. Dhe ka dy ditë që punohet me dyer të mbylluara për çfarë mendon të bëjë në pjesët më të çmuara të vëndit. Sidomos bregdetit. Po ndahet torta në mënyre okulte. Pushteti lokal është jashtë loje. Në rend të ditës grabitja e pronave të bregut dhe stimulimi i bizneseve të fshehta që financuan në fushatë. Po e bën këtë pa asnjë plan e proçes transparent. Konferenca nesër është vetëm fasade. Pasi pazaret u bënë dje dhe sot” shkruan Basha.Por gjenerata e re e shqiptarëve, shton më tej Kryebashkiaku, nuk mund ta pranojë pazarin me te ardhmen në emër të interesave të së shkuarës.Vetëm një ditë më parë plot 32 arkitektë, planifikues urbanë, ekonomistë nga e gjithë bota kanë mbërritur në vendin tonë për të marrë pjesë në Konferencën me titull “Shqipëria e Gjeneratës së Re”, që do të zhvillohet nga Partia Socialiste në datat 26 dhe 27 gusht 2013.Konferenca do të fokusohet në ndërtimin e një vizioni të ri për një zhvillim të qëndrueshëm urban dhe formësimin e një modeli të ri ekonomik për një zhvillim të qëndrueshëm. Synimi është të grumbullohen eksperienca të suksesshme ndërkombëtare në mënyrë që të gjenden zgjidhjet më të mira për sfidat madhore me të cilat përballet Shqipëria.