PS denoncon dhënien me konçesion të portit të Durrësit: Vjedhje elektorale, do anullohet
Partia Socialiste ka denocuar sot, atë që ajo e quan vjedhje të aseteve publike nga qeveria në ikje e kryeministrit Berisha. Në një deklaratë për mediat, deputetja socialiste Ermonela Felaj nga selia e impovizuar e Kryeministrit të ardhshëm, denoncoi shpalljen tenderit nga agjencia e prokurimeve publike për të dhënë me konçesion portin e Durrësit."Edhe pse përmes një vote plebishitare shqiptarët zgjodhën ndryshimin në zgjedhjet e 23 qershorit, qeveria në ikje ende vazhdon të ndërmarrë vendime të cilat bien ndesh me interesin publik dhe në të njëjtën kohë nuk plotësojnë vullnetin e popullit që u shpreh përmes votës. Jo më larg se në datën 19 gusht, Agjensia e Prokurimeve Publike ka shpallur fituesin e tenderit për dhënien me koncesion të Portit të Durrësit. Një tjetër tender, një tjetër koncesion, një tjetër plaçkitje e aseteve publike. Dhe mbi të gjitha, një proces aspak transparent, i nisur vetëm 3 ditë përpara datës së zgjedhjeve dhe i përfunduar pasi shqiptarët e kishin shprehur vullnetin e tyre për të dërguar qeverinë Berisha në opozitë"deklaroi ajo.Sipas Felaj, mungesa e plotë e transparencës bën që Partia Socialiste ta vlerësojë këtë tender një proçedurë të pastër elektorale dhe të parpranueshme nga ana e tyre."Mungesa e plotë e transparencës, por edhe periudha kohore kur ky proces u zhvillua, na bën të mendojmë se ky tender është një procedurë e pastër elektorale, e cila për ne është e papranueshme. Njësoj siç është e papranueshme vala e koncesioneve dhe privatizimeve të gabuara, në dëm të interesit publik, karakteristikë e 8 viteve qeverisje të Sali Berishës dhe një nga arsyet pse shqiptarët votuan në mënyrë plebishitare kundër tij", tha Ermonela Felaj.Duke paralajmëruar se qeveria e majtë do ta zhbëjë këtë vendim që në mbledhjen e saj të parë, ajo i bëri thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për vjedhjen e këtij aseti publik."Ky vendim do të jetë një prej atyre vendimeve që do të zhbëhet nga qeveria e re qysh në mbledhjet e para të qeverisë. Por në të njëjtën kohë, dëshirojmë t'i bëjmë thirrje organit të prokurorisë për të nisur çështjen dhe hetimet për grabitje të pronës publike. Për ne pasuria kombëtare është aseti më i çmuar, që në asnjë rast e për asnjë arsye nuk mund të shpërdorohet në këtë formë", përfundoi Felaj.Këshilli i Ministrave ka miratuar dhënien me koncesion të një hapësire pranë Urës së Dajlanit në Durrës, ku parashikohet të ndërtohet një port jahtesh. Në dokumentin e publikuar në Fletoren Zyrtare, qeveria ngarkon Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit për zbatimin e këtij vendimi. Dokumenti qeveritar përcakton gjithashtu se koncesioni do të jetë i formës BOT, ndërtim, shfrytëzim dhe transferim në pronësi të shtetit. Porti do të jetë ngjitur portit të madh dhe në afërsi të kryqëzimit të rrugëve kryesore të vendit.