Naço-Arvizu: Reformë në KLD e burgje
Deputeti i LSI-së dhe ministri i Drejtësisë në qeverinë e ardhshme, Nasip Naço, ka pritur në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu.Z. Naço dhe ambasadori Arvizu në bisedën e tyre janë përqendruar në forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e drejtësisë.Ministri i ardhshëm i Drejtësisë u shpreh gjatë bashkëbisedimit se është e domosdoshme përshpejtimi i reformave të nisura nga ekspertët e Opdat & Icitap.Ai është shprehur se lufta pa kompromis kundër korrupsionit në institucionet e drejtësisë është prioritet i qeverisë së re.Nga ana e tij ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, ka shprehur mbështetjen e SHBA-ve, të cilat sipas tij do të qëndrojnë gjithmonë pranë të gjitha institucioneve në misionin e rëndësishëm të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.Më tej në bashkëbisedimin e tyre ministri i Drejtësisë në qeverinë e ardhshme, Nasip Naço, dhe ambasadori e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, janë shprehur se për reformat e rëndësishme është e domosdoshme rritja e koordinimit dhe bashkëpunimit mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe sistemit të burgjeve në vend.