“Përmeti” unifikon të krishterët: Skenat si në komunizëm, të na kthehen pronat

Komunitetet e Krishtera të Shqipërisë kanë reaguar njëzëri për largimin e Kishës së Përmetit nga pallati i Kulturës. Me anë të një deklarate të përbashkët, Kisha Ortodokse Autoqefale, Kisha Katolike dhe Vëllazëria Ungjillore kanë shprehur shqetësimin dhe indinjatën për ngjarjen, duke u shprehur se pamjet e transmetuara nga mediat sollën edhe një herë në mendje vitet e persekutimit dhe të luftës ndaj institucioneve fetare dhe objekteve të kultit."Kemi ndjekur me shqetësim dhe indinjatë ngjarjen e fundit në kishën ortodokse Shën Maria e pazarit, të qytetit të Përmetit, ku forcat policore të një shoqërie private përmbarimore nxorën nga objekti i kultit me forcë objekte të shenjta fetare dhe trajtuan në mënyrë të turpshme klerikët dhe besimtarët ortodoksë, të cilët dolën në mbrojtje të kishës së tyre. Pamjet e transmetuara nga mediat na sollën edhe një herë në mendje vitet e persekutimit dhe të luftës ndaj institucioneve fetare dhe objekteve të kultit, ndërkohë që presim ende kthimin e objekteve dhe pronave të komuniteteve tona fetare," lexon deklarata.Tre komunitetet e krishtera shprehin solidaritetin me besimtarët ortodoksë të qytetit të Përmetit dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe urojnë që çështja e kësaj kishe të zgjidhet sa më shpejt dhe objekti i kultit dhe vendi i shenjtë t'i kthehet besimtarëve dhe klerikëve për të kryer shërbesat e shenjta.Në fund të deklaratës Komunitetet e Krishtera të Shqipërisë shprehin edhe një kërkesë për autoritetet shtetërore shqiptare: "Me këtë rast do të dëshironim t'i bëjmë thirrje edhe një herë shtetit shqiptar që të angazhohet në zgjidhjen përfundimtare të kthimit të pronave Komuniteteve Fetare në Shqipëri, të cilët edhe pas 23 vitesh demokraci nuk kanë gjetur të drejtën e tyre te ligjshme dhe demokratike.