Kapen klandestinë të tjerë, vinin nga Eritrea, Pakistani dhe Maroku
26 shtetas të huaj që vinin nga Eritrea, Pakistani dhe Maroku janë ndaluar nga policia e Gjirokastrës. Operacioni është zhvilluar në orën 04:30 të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Jorgucat -Gjirokastër, ku klandestinët, pasi kishin hyrë ilegalisht në vendin tonë, po kalonin me këmbë nëpërmjet shtratit të lumit Drino. Në vendin e quajtur Sofratikë, shtetasit e huaj kanë dalë në rrugë kryesore dhe kanë hipur në një furgon të cilit i kanë bërë shenjë të ndalojë.Në ndjekje të automjetit janë vënë Specialistët e Sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, ku në afërsi të qytetit Gjirokastër kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit së bashku me klandestinët.Në automjet u konstatuan 26 shtetas nga Eritrea, Pakistani e Maroku , ndërmjet tyre edhe katër femra.Policia ka ndaluar dy persona që dyshohet se janë shoqëruesit e klandestinëve.Shtetasit e huaj janë të shoqëruar në Ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ku vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër me përkthyes të liçensuar në gjuhën e tyre, për të vërtetuar nëse dy shtetasit nga Mallakastra janë shoqëruesit e tyre apo i kanë marrë rastësisht në rrugë si pasagjerë klandestinët.