Na ishte një herë Shqipëria ...

E nis shkrimin tim me këtë shprehje e cila mund të tingëllojë paradoksale për shumë lexues, që do të donin të fshinin nga kujtesa e tyre periudhën komuniste të Shqipërisë. Gjithsesi, dëshiroj t’i kthehem asaj kohe për të sjellë në kujtesën e grupmoshave që e kanë jetuar, faktin se gjatë atij regjimi, megjithëse nuk njiheshin konceptet e sotme për mbrojtjen e mjedisit, tregohej një kujdes i veçantë për të mbrojtur natyrën në zonat turistike.Hedhja e një vështrimi të shpejtë mbi ato vite na shërben për të bërë paralelizmin me atë çka ndodh sot, me një katastrofë mjedisore që nuk dihet se kur do t’i vijë fundi.Para viteve ’90 ekzistonte një ekonomi e centralizuar, e cila refuzonte çdo kontakt me botën jashtë dhe si rezultat turizmit i kushtohej shumë pak rëndësi. Pjesa më e madhe e investimeve ishte në shërbim të turistëve vendas dhe shumë pak ndaj atyre të huaj. Investimet në këtë sektor ishin të papërfillshme në totalin e investimeve të përgjithshme, por gjithsesi nuk ndërtohej në asnjë rast në zonat turistike, duke dëmtuar mjedisin jashtë kritereve apo politikave të përcaktuara nga qeveria e asaj kohe. Po t’u referohemi ndërtimeve në bregdet mund të themi se ato nuk preknin asnjëherë hapësirat ranore, ndërsa ndërtimet në zonat malore konsistonin në shtëpi të vogla alpine të përshtatura me mjedisin dhe çka është më e rëndësishme, nuk bëhej fjalë të dëmtoheshin pyjet, shtretërit e lumenjve etj. Mbase ata nuk menduan për ne, por në një farë mënyre ne trashëguam një natyrë dhe mjedis thuajse të virgjër, një aset autentik që, nëse qeveritë që pasuan do ta menaxhonin në mënyrën e duhur nuk do të ishim në këtë gjendje që jemi sot.Dhe natyrshëm lind pyetja: Çfarë ka ndodhur me Shqipërinë pas vitit 1990? Hapja me botën bëri që shqiptarët të etur për të parë dhe eksploruar të panjohurën t’u drejtohen vendeve të cilat deri pak kohë më parë ekzistonin vetëm në ëndrrat e tyre. Përpos shkëlqimit dhe joshjes që ofroi realiteti aq i ndryshëm për vizitorët, në të njëjtën kohë la të kuptohej përballë tyre se rruga për ta bërë atë të prekshëm në Shqipëri kërkonte punë e vullnet të hekurt, një tjetërsim rrënjësor të ekonomisë. Ndonëse në format e veta primitive, mund të themi se ndryshimi erdhi në vendin tonë dhe turizmi filloi të lulëzonte, të hidhte hapat ngadalë, por fatkeqësisht nuk kishte pranë një shtet që ta drejtonte në rrugën e drejtë, në rrugën e modeleve më të mira të zhvillimit.Të gjitha qeveritë si ato të majta dhe ato të djathta e kanë lënë këtë sektor në duart abuzive të biznesit privat, i cili ka bërë çfarë ka dashur, duke masakruar mjedisin me ndërtime, që vetëm turistike nuk mund të quhen. Shembuj të kësaj masakre ka plot. Mjafton të kujtojmë bregdetin e qytetit të Durrësit para viteve ’90, qytetin e Sarandës, Parkun Kombëtar të Lurës, Ujin e Ftohtë në Vlorë, shtratin e lumit Erzen, pyllin me pisha të Golemit e të tjera pa fund. Sot ndodhemi përpara faktit të hidhur që turistët vijnë të zbulojnë “sekretin e fundit të botës”(shumë paradoksale), dhe përballen me problematika që askush nuk u jep zgjidhje. Të flasësh për turizëm të qëndrueshëm sot, është njësoj si të duash të ndërtosh një pallat shumëkatësh kur ke hedhur themelet vetëm për një kat.Në përshtatje me lidhjen shkak-pasojë shohim se vitet e fundit po ndodh një fenomen, ku turistët vendas po u drejtohen brigjeve të Turqisë, Tunizisë, Greqisë, Italisë, Malit të Zi e të tjera jo më për të shuar kuriozitetin apo për të eksploruar, por sepse atje gjejnë shërbime cilësore, çmime joshëse dhe standarde. Prurjet më të mëdha turistike kanë origjinë Kosovën, e cila me liberalizimin e vizave me shumë gjasa nuk ka për të qenë edhe për shumë kohë “patriote e përbetuar” në këtë drejtim, e mbase nuk ka për të qenë e largët dita kur edhe shqiptarët e Kosovës të sillen si vëllezërit e tyre të Shqipërisë.Në emër të ekonomisë së tregut dhe nxitjes së iniciativës së lirë private, qeveritë e mëparshme e zhvilluan turizmin sipas motos “Ndërto ku të duash, ndërto si të duash, ndërto edhe për mua!” pa kurrfarë vizioni dhe serioziteti. Problematikat janë të shumta, por asnjëherë nuk është vonë për të ndryshuar, për të ndërtuar themelet e forta për një turizëm të qëndrueshëm. Që të fillojë të ndryshojë gjendja duhet të fillojë të funksionojë trekëndëshi i artë qeveri-biznes–komunitet, ku në qendër të tij është turisti me nevojat dhe dëshirat për produkte turistike. Në të kundërt ai do të kthehet në trekëndëshin e Bermudës ku do të humbasim të gjithë. Pa dashur të mohoj disa arritje që u adresohen përpjekjeve të bizneseve private vizionare në atë që kanë bërë në fushën e turizmit, këndvështrimi im është ndaj problematikave, korrupsionit galopant, papërgjegjshmërisë dhe abuzivitetit, lakmisë për të fituar sa më shumë në shumë pak kohë, duke masakruar mjedisin dhe pasuritë e përbashkëta për të cilat do të duhet t’u japim llogari brezave që do të vijnë. Të gjithë duhet të japim kontributin tonë, por në radhë të parë sfida më e madhe i takon qeverisë së re për të ndalur këtë katastrofë mjedisore, për t’i kthyer Shqipërisë atë mjedis që unë e them me nostalgji “Na ishte njëherë Shqipëria”, me pyjet e gjelbëruara, detin e pastër, me histori, kulturë dhe traditë dhe me një popull mikpritës që në gjenezë.Burimi : gazeta-shqip.com