Ekonomia, rritje të ngadaltë, BSH: Politika stimuluese për përmirësimin e saj

Ekonomia shqiptare ka vijuar që të rritet nën potencial edhe gjatë tremujorit të dytë të këtij viti dhe pritet të vazhdojë me këtë trend edhe në muajt në vazhdim.Kështu kanë deklaruar përfaqësues të Bankës së Shqipërisë gjatë prezantimit të Raportit të Politikës Monetare për tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas raportit, pavarësisht se ka pasur një gjallërim të investimeve, përsëri konsumatorët  kanë vazhduar trendin e kursimit duke mos dhënë ndikim në ecurinë ekonomike.Kufizimi i shpenzimeve tek individët është vlerësuar që të jetë më i madh sidomos në blerjet e mëdha që përfshijnë mobile, makinë apo elektroshtëpiake. Një tjetër element që nuk ka ndihmuar ecurinë ekonomike ka qenë edhe ngadalësimi i kredidhënies sidomos gjatë muajit Maj. Drejtues të Bankës së Shqipërisë e lidhin uljen e kreditimit të bankave të nivelit të dytë edhe me pasiguritë e ardhura si pasojë e muajit elektoralë. Ndërkohë që ulja e normës së interesit deri në minimumin historik nuk është reflektuar në dhënien e kredive por vetëm në uljen e përqindjes së depozitave. Ndërkohë që një e dhënë interesante është fakti se kredia konsumtore është e vetmja që ka pasur rritje gjatë 3 muajve të dytë të vitit 2013-ës.Banka e Shqipërisë ndërkohë parashikon që edhe në muajt në vazhdim ekonomia jonë do të jetë nën potencial. Megjithatë drejtues të Bankës së Shqipërisë deklarojnë se ky institucion do të vijojë të ndjekë politikat stimuluese për ekonominë duke i mbajtur të ulta normat e interesit.