Stërvitja "Albanian Lion 2013", bashkëpunim me britanikët në kuadër të NATO-s
Ka nisur mesditën e sotme në Rinas, stërvitja e përbashkët e koduar “Albanian Lion 2013”, një bashkëpunim mes ushtrisë shqiptare dhe asaj britanike.Në saj të kësaj stërvitjeje është dhënë dhe një konferencë për shtyp mes Gjeneral Gjunkshit dhe ambasadorit të Britanisë në vendin tonë, Nicolas Cannon.Në fjalën e tij në këtë konferencë, një fjalë e mbajtur në gjuhën shqipe, ambasadori Nicolas Cannon, ka shprehur kënaqësinë e tij për zhvillimin e kësaj stërvitjeje bashkëpunuese si dhe ka falenderuar palën shqiptare për bashkëpunimin.“Është një kënaqësi e veçantë të jem këtu për tu paraqitur këtë stërvitje bashkëpunuese, e cila këtë vit është planifikuar që të jetë më e madhe dhe më e ndërlikuar se vitin e kaluar. Këtë vit kjo stërvitje do të jetë e përmirësuar dhe kjo është një sfidë më vete.Të dy palët kanë shumë për të mësuar nga njëra tjetra. Në këtë stërvitje për herë të parë marrin pjesë dhe trupat hollandeze. Aleanca e NATOS është një aleancë e cila u krijua që nga rrëzimi i sistemit komunist në Europë. Që atëherë kjo aleancë së bashku me të gjitha shtete anëtare në të lufton kundër terrorizmit në të gjithë botën. Ushtarakët shqiptarë në Afganistan janë të angazhuar në luftë dhe ne u jemi shumë mirënjohës atyre dhe familjeve të tyre. Kjo stërvitja do të përfshijë elementë të fundit dhe të përmirësuar”, u shpreh Cannon.Në fjalën e tij, Nicolas Cannon, ka falenderuar gjithashtu ushtarakët shqiptarë të cilët mundësuan këtë stërvitje dhe ka bërë një thirrje edhe ndaj mediave shqiptare, duke kërkuar që të jenë më të vëmendëshme ndaj aktiviteteve të tilla, pasi sipas tij, publiku duhet të jetë më i informuar për stërvitje të formave të tilla.“Falenderoj ushtarakët shqiptarë dhe civilët për mundësimin e kësaj stërvitjeje si dhe mikëpritjen. Ftojmë median shqiptare që të ndjekë më shumë se një vit më pare këtë stërvitje, në mënyrë që publiku të informohet edhe më shumë për këtë aktivitet”, tha ambasadori i Britanisë, Nicolas Cannon.