Më gjërësisht për shkollimin e fëmijëve

Pas botimit të artikullit “33 qindarka për të nxënë, 67 për të ngrënë…”, mora disa komente private që ofronin kundërargumente seriozë ndaj sistemit të “çeqeve të shkollimit” të sugjeruar në të. Meqënëse problemet që ngrinin ato komente vlejnë të debatohen publikisht, po ndaj me lexuesit një përmbledhje të tyre dhe të përgjigjeve të mia. Ndërkohë, për të respektuar privatësinë e autorëve të komenteve, nuk po ua përmend emrat.Për t'ia lehtësuar leximin kujtdo që nuk i ra në dorë artikulli i sipërcituar, fillimisht, po përmbledh me pak fjalë skemën e financimit që sugjeroja në të. Sipas asaj skeme, i binte që Ministria e Arsimit të merrej me gjërat më “interesante” (siç janë p.sh. përgatitja e programeve dhe miratimi i teksteve), pushteti lokal të merrej me gjërat më pak “interesante” (siç janë p.sh. liçencimi dhe inspektimi i shkollave), dhe prindërit të merreshin me gjënë më “të bezdisshme” të sistemit të arsimit – administrimin e parave. Dhe këtë e sugjeroja të realizohej nëpërmjet "çeqeve të shkollimit", të cilat shteti mund t'ia japë drejtpërdrejt familjeve të varfra dhe të mesme për të paguar sipas preferencave shkollimin e fëmijve.Dhe tani le të shohim argumentet kundër sistemit të “çeqeve të shkollimit”. Në rrafshin teorik, argumenti kryesor kundër tij ishte se instrumentat që tentojnë t’i japin një të mire publike disa tipare të së mirës private kanë efekt të kufizuar, ndërsa zgjidhja e probelemeve duhet parë në kryerjen e reformave nga ana e ofruesve të së mirës publike, si dhe tek edukimi, informimi, dhe përfshirja e përfituesve të kësaj të mire në vendimmarrje. Duke ofruar këtë argument, autori i komentit i bashkohet një numri shumë të madh sociologësh dhe ekonomistësh të botës të cilët e pranojnë atë teorikisht.Por nga pikpamja empirike, sistemi i “çeqeve të shkollimit” është eksperimentuar me sukses në disa qytete të Sh.B.A.‑së, dhe si rezultat, ka fituar jo pak mbështetës. Ndërkohë, ai ka hasur në kundërshtimin e ashpër të sindikatave të mësuesve, ngaqë trondit stabilitetin financiar të tyre, si dhe të Demokratëve liberalë, të cilët shohin të fshehur pas këtij sistemi dëshirën e Republikanëve konservatorë për të financuar shkolla me baza fetare.Fakti që kryetari i bashkisë së Uashingtonit (një Demokrat liberal klasik) përqafoi idenë e “çeqeve të shkollimit”, tregon se ai është bindur që kryerja e reformave për të ofruar sa më cilësisht të mirën publike "arsim", si dhe edukimi, informimi, dhe përfshirja e përfituesve të kësaj të mire në vendimmarrje janë provuar për më shumë se 200 vjet në qytetin e tij, dhe prapë gjëndja e shumicës së shkollave publike është skandaloze. (Dikujt që ka vizituar shkollat publike të lagjeve zezake të Uashingtonit, krahasimisht, disa nga ato të Tiranës do t'i dukeshin si parajsë). I dëshpëruar nga gjëndja e shkollave nën juridiksionin e tij, kryebashkiaku i kryeqytetit amerikan zbatoi sistemin e “çeqeve të shkollimit”, të cilin filozofia e tij politike nuk ia pranon, por që është demonstruar si i suksesshëm në qytete të tjera.Një shëmbull tjetër empirik i suksesshëm i komercializimit të të mirave publike është sistemi i kujdesit shëndetsor në Sh.B.A.. Kujdesi shëndetsor konsiderohet si një e mirë publike në shumë vënde të botës, por jo në Sh.B.A. Shteti amerikan, përveçse në sektorin ushtarak, nuk ka në pronësi spitale, klinika, etj. Ai thjesht ofron fonde për siguracionin shëndetsor të familjeve të varfra dhe të punonjësve shtetërorë, si dhe për pensionistët.Por edhe sistemi amerikan e ka një thëmbër të Akilit – kufiri i të ardhurave që e kualifikon një familje si të varfër është aq i ulët sa që rreth 14% e amerikanëve nuk mbulohen me siguracion shëndetsor nga shteti, ndërkohë që nuk janë të mbuluar as nga punëdhënësit, dhe as nga xhepi i tyre. Mbulimi i këtij 14 përqindëshi ka vite që është vënë në qëndër të debatit politik, por asnjë nga politikanët dhe opinionbërësit seriozë amerikanë nuk sugjerojnë shndërrimin e kujdesit shëndetsor në një të mirë publike të ofruar apo administruar nga shteti. Kjo sepse shërbimi që ofrojnë aktualisht spitalet, klinikat, dhe mjekët privatë amerikanë është i cilësisë më të lartë në botë.Duke u rikthyer tek sistemi i “çeqeve të shkollimit” në Shqipëri, një argument konkret kundër tij ishte se prindërit në zonat e thella nuk kanë mundësi të zgjedhin një shkollë tjetër, në qoftë se ajo që kanë pranë nuk u pëlqen. Dhe kjo është më se e vërtetë. Por “çeqet e shkollimit” i japin atyre një mjet të fuqishëm dhe të drejtpërdrejtë për të zgjedhur se kush do ta drejtojë atë shkollë dhe kush do të japë mësim në të – në qoftë se shumica e prindërve të një fshati vendosin për të mos ia paguar çeqet trupës mësimore të shkollës së tyre lokale, ajo do të detyrohet ose të përmirsojë mësimdhënien, ose t’ia lërë vëndin eventualisht një trupe tjetër.Një argument tjetër kundër sistemit të “çeqeve të shkollimit”sugjeronte se bordet e prindërve me kompetenca të qënësishme në çështjet e administrimit të shkollave publike mund të jetë një alternativë më e mirë se sa ky sistem. Dhe në fakt, shëmbuj nga vënde të ndryshme tregojnë se bordet e prindërve kanë qënë të suksesshme në shumë zona. Por një karakteristikë e përbashkët e këtyre zonave ka qënë se ato janë populluar nga familje relativisht të pasura dhe me ndjenjë të zhvilluar komuniteti.Ndërsa eksperienca amerikane e lagjeve të varfra të qyteteve dhe ajo e zonave të thella rurale tregon se prindërit, megjithese e kanë në dispozicion strukturën për përfshirjen në administrimin e shkollave publike (nënkupto bordet e prindërve), praktikisht nuk e përdorin atë. Kjo sepse ndikimi nëpërmjet asaj strukture është i terthortë dhe kërkon kohë, përkushtim, dhe botkuptim më të sofistikuar se sa ai që ata disponojnë. (Bëhet fjalë për afro-amerikanë që jetojnë me çeqet e asistencës sociale ose fermerë të vegjël të zonave të thella që nuk kanë mbaruar as shkollën e mesme.)Dhe argumenti i fundit kundër sistemit të “çeqeve të shkollimit” ishte se po të zbatohet ai, do të ishte e pamundur që bashkësia e prindërve në gjithë Shqipërinë të merrte vendimet e duhura për të bërë një shpërndarje racionale të shpenzimeve për arsimin. Dhe kjo do të ishte më se e vërtetë në qoftë se shteti do të bënte një ndarje thjesht përpjestimore të fondeve midis prindërve. Në një rast të tillë, do t'i binte që në zonat e thella malore, "çeqet e shkollimit" të përballonin vetëm mbajtjen e një shkolle për shumë fshatra bashkë dhe jo për çdo fshat apo çdo dy fshatra veças.Për të shmangur këtë problem, duhet të jetë shteti përsëri ai që do të caktonte shpërndarjen e fondeve sipas rretheve duke mbajtur parasysh karakteristikat gjeografike dhe kulturore të tyre. E vetmja gjë që do të ndryshonte po të zbatohej ky model, do të ishte eliminimi i hallkave të ndërmjetme të administrimit të fondeve, siç janë p.sh. hallkat që bëjnë tendera, hallkat që votojnë nëpër konferencat e partive etj., etj…Përmëndja e këtyre hallkave më kujton faktin e thjeshtë që edhe sikur shumica e shqiptarëve të ishin të bindur plotësisht se zbatimi i sistemit të "çeqeve të shkollimit" do të sillte një përmirsim dramatik të arsimit në Shqipëri, udhëheqësit aktualë politikë nuk do ta zbatonin atë. Por pavarsisht nga ky fakt, nuk e quaj të humbur kot kohën që i dedikova këtyre dy artikujve për “Lulat e vocërr”. Ka shumë gjëra që duken sikur nuk do të ndryshojnë kurrë në Shqipëri për shkak të mungesës së vullnetit politik. Megjitatë, duan apo s'duan politikanët e sotëm, ato eventualisht do të ndryshojnë. Dhe ndryshimi do të vijë jo vetëm si rezultat i presionit të vazhdueshëm të BE‑së, por edhe si rezultat i ndërgjegjsimit të publikut rreth domosdoshmërisë së reformave në shumë fusha të jetës shqiptare.Burimi : Respublica.al