Çmimi i biletës së furgonave, qytetarët: Shoferët po abuzojnë, askush nuk na mbron
Kur kanë kaluar më shumë se 2 muaj nga hapja e tunelit në autostradën Elbasan-Tiranë, çmimi i biletës së udhëtimit nëpërmjet furgonëve vazhdon të jetë i pandryshuar, 3 mijë lekë të vjetra për person.Pavarësisht se tashmë furgonët udhëtojnë më pak në kilometra, në një terren që favorizon konsumin e ulët të automjetit dhe në një kohë më të shkurtër, shoferët e tyre kanë vendosur ta mbajnë të pandryshuar këtë çmim.Fillimisht ata janë justifikuar se nuk dëshironin të krijonin luhatje, pasi tuneli do të mbyllej sërish, por në fakt kjo nuk ka ndodhur për asnjë moment. Ky qëndrim i shoferëve të furgonave ka ngjallur dhe shqetësimin e qytetarëve, të cilët e konsiderojnë si një manovër për të përfituar në mënyrë abuzive në kurriz të atyre që nuk kanë mundësinë të udhëtojnë me automjetet e tyre.Në kushtet kur nuk ka asnjë organ që mund të luajë rolin e rregullatorit të çmimeve në qarkun e Elbasanit, shoferët e furgonave që lëvizin në linjën Elbasan-Tiranë, do ta kenë të lehtë të manovrojnë sipas dëshirës së tyre me çmimet, duke abuzuar në kurriz të qytetarëve të pambrojtur në këtë drejtim.