Tahiri takon Alfanon: Bashkëpunim i ngushtë për integrimin dhe luftën kundër krimit
Shqetësim për situatën e rendit dhe sigurisë publike në vend, por edhe mbështetje në rrugën drejt integrimit në BE. Këto kanë qënë temat e një takimi të zhvilluar mes Sajmir Tahirit si Ministër i ardhshëm i Brendshëm dhe Angelino Alfanos, Ministër i Brendshëm i italisë.Takimi është njoftuar në “Facebook” nga Tahiri, i cili thekson se:“I shpreha Ministrit Alfano shqetësimin tonë për situatën e sigurisë publike në vend, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qënieve njerëzore dhe lëndëve narkotike, duke i shprehur bindjen se një Shqipëri më e sigurt, ka efekt të menjëhershëm në sigurinë rajonale dhe sigurinë e vetë Italisë.”Më tej Tahiri e ka siguruar Alfanon për vullnetin e Kryeministrit të ardhshëm Edi Rama dhe qeverisë së re për të rikonceptuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve si sfida të përbashkëta e për ti adresuar ato me prioritet maksimal.Sipas asaj që shkruan Tahiri, Ministri Alfano ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur Policinë e Shtetit me ekspertizë profesionale, logistikë dhe infrastrukturë, duke fuqizuar urat e bashkëpunimit dhe misionet italiane që asistojnë Policine Shqiptare sot.Intensifikimi i luftës kundër trafiqeve, është konsideruar si një sfidë e përbashkët me synim daljen sa më shpejt të Shqipërisë nga klasifikimi "vend në vëzhgim" në renditjen e Departamentit Amerikan të Shtetit.Tahiri bën të ditur se një takim i dytë do të zhvillohet në Shtator për të rishikuar konkretisht marrëveshjet dypalëshe në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit policor.Ndërkaq theksohet se Ministri Alfano shprehu mbështetjen për qeverinë e re, për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshte dhe rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.
“Takim i shkëlqyer dhe mjaft inspirues me Ministrin e Brendshëm të Italisë, Angelino Alfano.Ministri Alfano shprehu mbështetjen e plotë për qeverinë e re, për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë dhe rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.Alfano u angazhua personalisht për të mbështetur Shqipërinë në të gjitha strukturat e BE, takimet dypalshe me homologët e tij të BE si dhe mbështetje të plotë për Shqipërinë në takimin e ardhshëm të Partive Popullore Europiane.I shpreha Ministrit Alfano shqetësimin tonë për situatën e sigurisë publike në vend, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qënieve njerëzore dhe lëndëve narkotike, duke i shprehur bindjen se një Shqipëri më e sigurt, ka efekt të menjëhershëm në sigurinë rajonale dhe sigurinë e vetë Italisë.”shkruan Tahiri në “Facebook”.