Stoku i banesave në rrezik
E thënë sikurse në titull, koncepti ‘stoku i banesave’ nuk tërheq vëmendjen masive të shqiptarëve. Do të ishte kështu edhe në rastin kur në vend të fjalës angleze ‘stock’ të përdornim një fjalë shqip ‘gjendja e magazinës’ apo ‘fond’. Por do të tërhiqte menjëherë vëmendje nëse ne do të flisnim për shtëpinë e dikujt në mënyrë specifike. Veçanërisht, nëse personi specifik do të ishte ndonjë VIP, i tipit të ndonjë këngëtareje bashkëkohore apo banor i Big Brother-it. Bile, do të tërhiqte vëmendje të madhe edhe nëse flisnim për fustanin apo kapelen e ndonjë VIP-i. Por ne nuk do të flasim për këto. Megjithëse nuk mund ta përkufizojmë si shumë interesante, ne do të flasim për banesat e shqiptarëve. Për të gjithë shqiptarët dhe për të gjitha banesat, së bashku. Sepse, pothuajse të gjithë ne kemi nga një, madje disa nga ne kanë disa. Pra logjikisht, kush më shumë e kush më pak, të gjithë duhet të jemi të interesuar të dimë. Veçanërisht kur opinionet tregojnë një lidhje shumë të fortë shpirtërore të secilit prej nesh me banesat apo prona të tjera të paluajtshme.Censusi i viti 2011 tregon se stoku i banesave në Shqipëri, në dimensionin sasior, është rritur ndjeshëm në dekadën e parë të këtij shekulli. Shumica dërrmuese e shqiptarëve jo vetëm zotërojnë një banesë, por një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë në pronësi edhe nga një banesë të dytë, të lokalizuar në të ashtuquajturat zona turistike. Në fakt, ky informacion që vjen nga censusi, nuk na gjen të çuditur sepse të gjithë ne shohim përditë sesi lartësohen ndërtesa të reja apo ekzistuese, me apo pa leje. Veçanërisht në zonat urbane apo turistike të Shqipërisë. Braktisen banesa në fshatra apo qendra të vogla urbane, të cilat shkretohen në mënyrë paralele me gjallërimin e 2-3 superqyteteve shqiptare. Ndërkohë, për të njëjtën periudhë dhjetëvjeçare shqiptarët, gjithashtu, kanë investuar shumë në dimensionin e brendshëm tek apartamentet e tyre. Kanë risuvatuar muret, i kanë patinuar ato. Kanë shtruar dyshemetë me pllaka moderne apo i kanë veshur me parket ato. Kanë ndryshuar pajisjet e tualetit. Kanë ndryshuar disa herë mobiliet. E thënë shkurt, kanë investuar për modernizimin dhe rinovimin e brendshëm të banesave të tyre.Por ka një gjë për të cilën nuk flet dot censusi. Të paktën në mënyrë përshkruese dhe shtjelluese, censusi nuk mund të flasë për sipërfaqet dhe volumet e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit. Nuk di të them nëse është kështu në të gjithë botën, por të paktën për Shqipërinë kështu është. Sepse, censusi është një matje që nis nga individi dhe familja e tij dhe vazhdon me atë që ata zotërojnë në vetvete. Por ata zotërojnë, kësaj here në bashkëpronësi me fqinjët, edhe tarracën, kafazin e shkallës, ashensorin, oborrin e përbashkët të ndërtesës së banimit. Së bashku zotërojnë edhe fasadat e pallatit ku banojnë. Edhe tubacionet e ujësjellësit, edhe kanalizimet e largimit të ujërave të ndotura, edhe rrjetin e furnizimit me energji, edhe rrjetin e telefonisë, edhe rrjetin e kabllove televizivë. Të paktën është kështu sipas atyre pjesëve/dispozitave të ‘dakordësive sociale’ apo ‘kontratës sociale’ të shqiptarëve, që flasin për këtë temë. Gjithashtu, legjislacioni kujdeset të theksojë se është kështu përsa kohë nuk është përcaktuar ndryshe në ‘kontratën mes palëve të përfshira në të’, si një produkt i një shkëmbimi të lirë, mes agjentësh të lirë, në një vend të lirë.Pra shqiptarët, sipas matjeve empirike, investojnë në blerje apartamentesh të reja dhe në mirëmbajtjen e tyre. Po për sipërfaqet e bashkëpronësisë kush mendon? Ndërsa kemi apartamente gjithmonë e më shumë në numër dhe gjithmonë e më moderne në njësi individuale, duket se askush nuk mendon për sipërfaqet që i lidhin këto apartamente. Sipërfaqet që i kthejnë nga apartamente në pallate. Dhe jam duke folur praktikisht sepse legjislacioni (në kontekstin teorik) i ka dhënë zgjidhje prej kohësh këtij problemi. Dhe është një problem. Në regjimin e kaluar kjo çështje ishte zgjidhur shumë thjesht sepse të gjitha banesat shumëfamiljare (pallatet), ishin në pronësi të shtetit. Dhe shteti, nëpërmjet një ndërmarrjeje të quajtur Komunale Banesa, kujdesej njësoj si për banesat edhe për sipërfaqet e përdorimit të përbashkët në ndërtesat e banimit. Me përjashtime të vogla, kur dikush kishte mik apo të afërt shefin apo përgjegjësin, kur dikush i jepte ndonjë drekë të mirë bojaxhiut apo kur bëhej fjalë për shtëpinë e ndonjë ‘shoku me përgjegjësi’, të gjitha banesat mirëmbaheshin njësoj dhe po kështu sipërfaqet e bashkëpërdorimit nuk liheshin pas dore. Dhe kishte kuptim, sepse shteti ishte pronar i të gjithës.Por sot nuk është më kështu. Sot pronarë të banesave janë familjet e veçanta kurse pronarë të sipërfaqeve të bashkëpronësisë janë të gjitha familjet së bashku. Kështu, ndërsa mirëmbajnë, rinovojnë dhe modernizojnë banesat e tyre, duhet të bëjnë të njëjtën gjë për pjesën tjetër të ndërtesave. Por këtu ka një problem. Ndërsa investimet për mirëmbajtjen e banesave bëhen nga buxhetet e veçanta të familjeve, investimet për mirëmbajtjen e bashkëpronësisë duhet të bëhen nga investime të përbashkëta. Ky është problemi dhe duhet zgjidhur. Në teori duket shumë e thjeshtë, sepse në fund të fundit, megjithëse në bashkëpronësi me të tjerë çdo pronar apartamenti është edhe pronar i sipërfaqeve të përbashkëta. Dhe si i tillë, i takon të investojë në mirëmbajtjen e tyre. Në një rast hipotetik, ndërsa zotëron 70 m2 sipërfaqe apartament, zotëron edhe një të njëzetën e 1400 m2 sipërfaqe të truallit mbi të cilin është ndërtuar pallati, kafazit të shkallëve, ashensorëve dhe tarracës së ndërtesës. Me një aritmetikë të thjeshtë është e kuptueshme se i duhet të investojë në mirëmbajtjen e sipërfaqeve të bashkëpronësisë po aq sa për apartamentin. Dyshoj që ka shqiptar që me vullnet të lirë e bën një gjë të tillë. Po ju?Dhe kështu vijmë te produkti i problemit. Te kërcënimi. Te rreziku. Ndërsa mendojmë se po pasurohemi në prona të paluajtshme. Ndërsa posedojmë nga një apo dy apartamente, nuk po kuptojmë se në fakt, po rrezikojmë të kthehemi në të pastrehë. Sepse mosinvestimi në mirëmbajtje të sipërfaqeve të bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit sjell vjetërimin e tyre. Dhe vjetërimi i tyre i vazhdueshëm sjell degradimin deri në mosqëndrueshmëri. Dhe mosqëndrueshmëria, veçanërisht në këtë rast, nuk është vetëm vizuale, sociale apo mjedisore. Ajo mund të shkojë deri në mosqëndrueshmëri mekanike. Sigurisht, unë nuk jam duke thënë se kjo po ndodh tani, mund të kalojnë dekada që kjo të ndodhë, por nëse vazhdojmë në këtë rrugë, të jemi të sigurt se atje përfundojmë. Sikurse një gjerdan me perla të bashkëvendosura në një fill në kalbje e sipër mund të shpërbëhet një ditë, ashtu është edhe situata e stokut të banesave që ne po u trashëgojmë fëmijëve tanë. Dhe këta, fëmijëve të tyre. Por deri kur? Dekadat kalojnë shpejt.Burimi : mapo.al