Kukësi premton vazhdimin e historisë

Thonë që futbolli është sporti më i bukur. E di pse? Ndoshta sepse kurrë nuk e dimë se kush do të dalë me kokën lart në fund të 90 minutëshit. Kukësi është dëshmia e gjallë e kësaj shprehje. Është dëshmia se me punë dhe shumë djersë mund të arrish atë që dëshiron. Dëshmitarët janë të shumtë, janë 3 milionë shqiptarë, janë miliona të tjerë kudo në botë që e kanë dëgjuar, është dhe vetë impianti "Qemal Stafa” që pret me krenari sonte në orën 19:30 duelin mes Kukësit dhe Trabzosporit.Të gjithë diskutojnë për verilindorët, të gjithë janë të dashuruar pas tyre dhe të gjithë e konsiderojnë si një kombëtare të dytë tonën. Skuadra e presidentit, Safet Gjici, sonte do të luajë në fazën e Play-offit në kërkim të shkrimit të një historie akoma më të bukur. Përballë janë kundërshtarë shumë të vështirë. Skuadra turke është një ndër 4 skuadrat më të mirat në Turqi dhe ka lojtarë cilësorë.Por si do të luajnë kuksianët sonte? Skuadra e drejtuar nga Cungu pritet të ketë shumë pak ndryshime në formacion, vetëm dy. Në sulm do të rikthehet në vendin që i takon sulmuesi Lazar Popoviç, ndërkohë do të kthehet edhe Besar Musolli. Formacioni do të jetë 4-2-3-1, ku në portë do të jetë Halili, në mbrojtje Hallaçi,Malota, Brahja dhe Peqini, në mesfushë motorrat do të jenë Musolli dhe Karabeci ndërsa Hoxha, Allmuça dhe Progni do të mbështesin sulmuesin Popoviç.Të gatshëm do të jenë për të luajtur edhe afrimet Smajli,Cikaleshi dhe Hysa. Të gjithë futbollistët e Kukësi, trajneri dhe presidenca janë të bindur se do të bëjnë një paraqitje po aq të mirë sa turet e kaluara dhe do të synojnë pse jo të arrijnë një tjetër kualifikim historik. Nga ana tjetër kundërshtarët do të luajnë pa dy futbollistët më të mirë dhe më të njohur Bosingua dhe Maluda. Gjyqtari i takimit do të jetë arbitri i takimit mes Shqipërisë dhe Armenisë, Stanislas Todorov që u kontestua shumë nga miqtë.Në rast kualifikimi presidenti Safet Gjici ka premtuar 300 mijë euro premio për kualifikimin. Në stadiumin "Qemal Stafa” sot pritet të ketë më shumë se 10 mijë tifoz që do të mbërrijnë nga Kosova, Kukësi dhe shumë mbështetës edhe nga Tirana. Kompanitë e basteve e shikojnë favorit skuadrën turke me një koefiçent 1.5, barazimi është 4.0, ndërsa fitorja e Kukësit ka kuotën 6.0. Por do të jetë fusha e lojës ajo që do të tregojë se sa në gjendje do të jenë të vazhdojë ëndrrën skuadra e Kukësit në Europë.