Kapshtica ende pa zgjidhje, pala shqiptare takim me homologët grekë

Një situatë e tensionuar ka mbizotëruar sot në pikën doganore të Kakavijës, ku qindra shqiptarë janë penguar nga policia greke të kalojnë në vendin fqinj, duke nxjerrë si shkak justifikime të ndryshme. Kjo ka detyruar autoritetet doganore shqiptare ti përgjigjen me të njëjtën monedhë, duke rritur kërkesat për hyrjet e qytetarëve grekë në Shqipëri. Situata ka ndryshuar pas ndërhyrjes së konsullit grek në Gjirokastër.Ndërkaq në pikën tjetër kufitare me Greqinë, atë të Kapshticës, ka vijuar deri në orët e mbrëmjes  kthimi i emigrantëve shqiptarë, pa asnjë arsye nga autoritetet greke. Drejtori i policisë kufitare, në këtë pikë doganore, Ylber Zyberi, ka zhvilluar një takim me palën greke për të gjetur një zgjidhje për situatën. E vetmja arritje në këtë takim ka qënë fakti se pala greke ka rënë dakord që të ulë shumën prej 1500 eurosh që kërkohet si garanci nga emigrantët, në 600 Euro.Pritet që ky vendim të lehtësojë kalimin e emigrantëve shqiptarë drejt shtetit fqinj. Në këtë pikë kufitare që pas konfliktit për kishën në Përmet janë kthyer dhjetëra shqiptarë, pa asnjë arsye konkrete, ndërsa ka pasur një komunikim verbal nga punonjësit e doganës greke se kjo po ndodh për shkak të ndërhyrjes së përmbarimit në Kishën e Përmetit..Bllokimi i emigrantëve në kufi, Ministria e Jashtme thërret ambasadorin grek në TiranëSekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Llesh Kola ka thërritur ditën e sotme në një takim Ambasadorin e Republikës Greke në Tiranë, Leonidas Rokanas.Sekretari i Përgjithshëm diskutoi me Ambasadorin grek mbi të gjitha problematikat që janë krijuar ditët e fundit në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe.Lidhur me shqetësimin tonë mbi kthimet e qytetarëve shqiptarë nga autoritetet policore greke në Pikat e Kalimit Kufitar, Ambasadori Rokanas informoi se duke filluar nga dita e sotme, situata po normalizohet dhe fluksi i qarkullimit do të rikthehet në standardet normale të sezonit. Ai siguroi angazhimin e tij për ndjekjen e kësaj çështjeje, me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.