Kalaja e dytë e Elbasanit, vendgrumbullim mbeturinash

Objekti i zbuluar vetëm pak javë më parë gjatë rikonstruksionit të rrugës “Thoma Kalefi” në Elbasan,  brenda pak ditëve është mbuluar nga mbeturinat e ndryshme urbane të hedhura nga persona të papërgjegjshëm.Objekti në fjalë, që u lançua  si një objekt tepër i rëndësishëm, madje duke u cilësuar fillimisht edhe si kalaja e dytë e Elbasanit, nuk po e merr më atë vëmendje e cila u mendua se do ti kushtohej. Mbeturina nga më të ndryshmet tashmë ndodhen gjithandej duke i dhënë objektit arkeologjik pamjen e një vendgrumbullimi të mbetjeve urbane.Ky zbulim arkeologjik që doli krejt rastësisht në pah, është zbuluar në masën 90% dhe tashmë vendos përballë përgjegjësive Bashkine e Elbasanit dhe Ministrinë e Kuluturës, midis të cilave kalojnë edhe kompetencat për vazhdimin e zbulimit të objektit apo edhe të mirëmbajtjes së tij.Ajo që gjejnë sot qytetarët që kalojnë në këtë rrugë nuk i përngjan aspak një kalaje të dytë por më shumë ngjason me një landfill mbetjesh urbane. Për sa kohë organet e mësipërme nuk zgjidhin çështjen e kompetencave mbi objektin e sidomos nëse nuk ndajnë përgjegjësitë për mirëmbajtjen e tij, ky zbulim arkeologjik do të vazhdojë të humbasë vlerat e tij historike e arkeologjike, pasi mbeturina të shumta vazhdojnë të hidhen aty çdo ditë.