Lëvizja Rinore për Integrim starton “Akademinë Verore për politikën” në Jalë
Ashtu siç është bërë tashmë traditë, Lëvizja Rinore për Integrim ka organizuar për të pestin vit radhazi një aktivitet në bregdetin e bukur të Jalës në Vlorë. Qindra të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria, anëtarë dhe simpatizantë të forumit rinor të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë zbarkuar tashmë në këtë kamp rinor ku aktivitetet politike, kulturore dhe argëtuese janë të gërshetuara mjaft mirë dhe do të jenë në fokusin e 6 ditëve të ardhshme të qëndrimit në bregdetin përrallor jonian. tw pranishëm në këtë kamping do të jenë edhe Lideri i LSI-së, Ilir Meta, Ambasadori e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Alexander Arvizu si edhe ai i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi.Në ceremoninë hapëse të këtij aktiviteti ka marrë fjalën edhe Kryetari i LSI-së, Ilir Meta i cili ka shprehur kënaqësinë që merr pjesë në kampingun e pestë të LRI-së në Jalë. Ai tha se ndryshe nga vitet e tjera ka një atmosferë edhe më pozitive dhe më optimiste që vjen pas një ndryshimi të rëndësishëm, që ka ndodhur në Shqipëri më 23 qershor në të gjithë vendin dhe kjo sipas tij falë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, të cilët demonstruan si askush tjetër dëshirën për të ndryshim dhe për të ecur më shpejt.“Jam tepër krenar për të gjithë ju dhe për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e LRI-së në të gjithë vendin, sepse ne kemi një LRI të mrekullueshme dhe të jashtëzakonshme dhe unë si kryetari i LSI-së, por besoj se edhe të gjithë drejtuesit e tjerë të LSI-së, u janë shumë mirënjohës në radhë të parë juve dhe të gjithë bashkëmoshatarëve tuaj për atë punë, për atë angazhim dhe për atë shpirt fitoreje që keni treguar për 23 qershorin, u shpreh Kryetari i LSI-së.Meta shprehu bindjen se fitorja e LSI-së është kontributi më i mirë që jepet në mënyrë që vendi të ecë më shpejt për të forcuar stabilitetin, por edhe për të ecur në rrugën e ndryshimit.“Ne do të vazhdojmë të ecim më shpejt pikërisht duke u mbështetur akoma më shumë tek ju dhe tek të gjithë të rinjtë dhe të rejat në të gjithë vendin. Sepse pa një përfshirje më të gjerë të rinisë nuk mund të ketë transformime më të shpejta dhe më efikase, nuk mund të ketë atë ritëm modernizimi, e gjithë shoqëria jonë, e gjithë ekonomia jonë, i gjithë sistemi ynë institucional, shtoi ai. Sepse të rinjtë për shkak të ëndrrave të tyre, për shkak të energjisë së pashtershme, i kanë të gjitha mundësitë për të qenë shtysa më e fuqishme edhe në të ardhmen”, deklaroi Kryetari i LSI-së.Ndërkaq, kryetari i LSI-së tha se çelësi i suksesit në zgjedhjet e 23 qershorit ka qenë se ka qëndruar me këmbë në tokë dhe nuk ka shfaqur asnjë shenjë arrogance.“Unë besoj se suksesi ynë ka qenë gjithmonë se kemi qenë një forcë politike gjithnjë me këmbë në tokë. Është shumë ë rëndësishme dhe pas këtij suksesi të vazhdojmë të qëndrojmë fort me këmbë në tokë që do të thotë se arroganca, siç u konfirmua edhe nga zgjedhjet e 23 qershorit nuk është forcë, por është dobësi, sidomos e atij që mendon se është në pushtet dhe që ka pushtet ndaj të tjerëve. Për ne është e domosdoshme të tregojmë vizionin tonë, përgjegjshmërinë tonë, sepse vendi ka shumë probleme dhe nuk ka nevojë për arrogancë dhe për frymë përjashtimi, por ka nevojë për modesti, për përgjegjshmëri dhe për gjithëpërfshirje”, u shpreh Meta.Gjithashtu, Kryetari i LSI-së u zotua se do të sjellë në Kuvendin e Shqipërisë një frymë pozitive dhe bashkëpunimi larg konflikteve dhe provokimeve. Sipas tij, LRI-ja ka qenë dhe vazhdon të jetë shembulli më i mirë në të gjithë politikën shqiptare të barazisë gjinore dhe ky shembull mjaft pozitiv që ka qenë te LRI-ja tani është përqafuar edhe nga LSI. Z. Meta shprehu bindjen se LSI-ja do të vazhdojë të sjellë energji të reja, ide të reja, sepse është një forcë e cila është e ndërtuar në radhë të parë në besimin tek të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë. Mes të tjerave Lideri i LSI-së ka falënderuar Ambasadorin e SHBA-së, Alexander Arvizu dhe Ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi, të cilët iu përgjigjën pozitivisht ftesës për të komunikuar me të rinjtë e LRI-së.Ndërkaq, edhe Ambasadori i SHBA-së, Alexander Arvizu ka përshëndetur shkurtimisht të rinjtë e LRI-së dhe i ka përgëzuar për punën e mirë që kanë bërë në zgjedhjet e 23 qershorit.“Dua t’ju përgëzoj të gjithëve për një performancë të jashtëzakonshme gjatë zgjedhjeve. Dhe duket qartë se çfarë organizimi është dashur për të krijuar këtë natë sot. Ky është një shembull shumë i mirë i dedikimit dhe i punës së palodhur që keni bërë ju të gjithë gjatë kësaj fushate. Dhe siç e thatë edhe ju, është një festë e madhe, ka arsye për të festuar, por është gjithashtu një detyrë e madhe. Dhe në qoftë se ju i përgjigjeni sfidave që ka vendi me të njëjtin pozitivitet, me të njëjtin seriozitet atëherë ju do të keni sukses. Dhe gjëja e fundit, kur shikoj energjinë që projektohet nga gjysma e njerëzimit, pra njerëz si Klajda, si Erisa, si Kejdi, të gjitha vajzat, kjo tregon vizionin që ju keni për të ardhmen”, tha Ambasadori i SHBA-së, Arvizu.Edhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi dha një mesazh për të rinjtë e të rejat e LRI-së. Ai theksoi se shpreson dhe beson se me energjinë e treguar, të rinjtë dhe të rejat do të jenë në gjendje që të kontribuojnë për ndërtimin e një Evrope më të mirë.“Jam shumë i kënaqur dhe i prekur që ndodhem mes jush. Unë e pashë energjinë pozitive tek ju, tek mënyra sesi e organizuat këtë kamp. Jam i sigurt që këtë energji ju do ta përdorni edhe për të ndërtuar vendin sepse në fund të fundit ju jeni lidershipi që do të udhëhiqni të ardhmen e këtij vendi. Jam shumë i gëzuar që do të flasim për Bashkimin Evropian. Integrimi në Evropë ka të bëjë shumë me transformimin. Kam shumë shpresë dhe besim që me këtë energji që ne shohim, ju do të jeni në gjendje që të kontribuoni për ndërtimin e një Evrope më të mirë. Mua më pëlqejnë shumë të rinjtë shqiptarë për këtë energji që ata zotërojnë. Jam plotësisht i bindur se Evropa ka nevojë për një injeksion të kësaj energjie pozitive. Jam i sigurt që ju do të jeni një kontribut i madh në këtë drejtim sepse ne kemi nevojë për energjinë tuaj”, deklaroi diplomati i Bashkimit Evropian.Pas akomodimit në ditën e parë të rinjtë janë njohur fillimisht me rregulloren e partive politike për të vazhduar me trajnime të ndryshme në ditën e dytë të kampingut. Ai që ka ngritur siparin ka qenë pikërisht ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi, i cili ka referuar në seminarin me temë “Çfarë përfaqëson BE për Shqipërinë dhe sfidat e menjëhershme për Tiranën”.