Berisha takon Haradinaj: PS po tërhiqet nga premtimet, çdo arritje e vendit lidhet me PD
Partia Socialiste erdhi në pushtet përmes premtimesh të parealizueshme prej të cilave që tani po tërhiqet. Kështu nënvizoi kryeministri Berisha gjatë një takimi që zhvilloi me kryetarin e Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.Kryeministri Berisha theksoi se të gjitha arritjet e mëdha të Shqipërisë në kuadrin e integrimeve euro - atlantike lidhen vetëm me Partinë Demokratike, duke theksuar se një asimetri e tillë tregon mungesën e vullnetit të Partisë Socialiste, e reflektuar kjo në sjelljen destruktive të opozitës gjatë 4 viteve të shkuara kur ajo bllokoi integrimin evropian të Shqipërisë.Kryeministri nënvizoi se alternanca është ligjësi themelore e demokracisë por ai theksoi se Partia Socialiste erdhi në pushtet përmes premtimesh të parealizueshme prej të cilave që tani PS po tërhiqet. Në njoftimin për mediat të Kryeministrisë theksohet se vend të veçantë në këtë takim zuri proçesi i zbatimit të marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë ku u theksua rëndësia themelore e zbatimit të tyre për konsolidimin jo vetëm të Kosovës por dhe të paqes dhe stabilitetit në Rajon. Në këtë kuadër zoti Haradinaj theksoi se ky proçes do të vazhdojë të ecë përpara.Gjithashtu u trajtuan tema të interesit të bashkëpunimit reciprok në fushën e ekonomisë, energjitikës, infrastrukturës etj. Haradinaj tregoi interes të posaçëm në lidhje me projektin TAP dhe mundësitë e Kosovës për të përfituar nga ky projekt energjitik madhor trans-evropian. Kryeministri u shpreh se projekti TAP ka një rëndësi strategjike për sigurinë energjitike jo vetëm të Evropës por edhe të rajonit dhe siguroi se Kosova do të përfitojë në këtë kuadër.