Bie prodhimi i energjisë, nga 20 milion kilovat konsum, 9 milion importohen

Ulet prodhimi i energjisë elektrike në vend. Sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, thatësira e muajit Gusht ka ulur prurjet në kaskada, duke ndikuar kështu në uljen e prodhimit të energjisë elektrike. Si rrjedhojë, aktualisht në vend prodhohen vetëm 11 milion kw energji elektrike dhe importohet rreth 9 milion. Ndërkohë që nevojat e vendit për konsum shkojnë në 20 milion kw energji elektrike.Në krahasim me një muaj më pare, prodhimi i energjisë ka rënë me rreth 6 milion kw. Fierza që është një prej HECE-ve më të mëdha në vend është në nivelin e 296 metrave, i konsideruar i kënaqshëm por prurjet janë vetëm 36 m3 në sekondë, duke detyruar KESH që të tregojë kujdes duke prodhuar energji më pak  për të ruajtur rezervat hidrike pasi stina e thatë ende nuk ka përfunduar.Hidrocentrali i Komanit është në kuotën e 175 metrave, ndërsa Vau i Dejës është në nivelin e 76 metrave dhe është në punë me kapacitet të plotë. Sistemi ynë energjitik që prej disa kohësh është në vështirësi për shkak të rritjes së konsumit dhe varësisë që ka ndaj reshjeve të shiut.Megjithatë tashmë shpresat mbeten te Projekti i gazsjellësit TAP, i cili pritet që të ndikojë në përmirësimin e sistemit energjitik në vend, pasi do të vihen në punë disa TECE të cilët aktualisht nuk prodhojnë energji pasi kanë kosto të lartë. Kjo pritet të stabilizojë tregun energjitik në vend dhe të ulë varësinë e sistemit energjitik nga reshjet e shiut.