Superkupa e Shqipërisë është e Skënderbeut
E treta e vërteta. Skënderbeu fiton Superkupën e Shqipërisë. Djemtë e drejtuar nga Mirel Josa u falen penalltive për të marrë më në fund këtë trofe, pasi koha e rregullt përfundoi 1-1. Korçarët u befasuan në sekondat e fundit nga mbrojtësi Buljan që arriti të barazojë golin e shënuar në fillim nga Pejiç. Ky ishte suksesi i parë në tre finalet e fundit, pasi dy të kaluar i humbi ndaj Tiranës.“Qemal Stafa” është e zbehtë dhe pa shumë tifozë. Nuk ka entuziazëm në shkallët e stadiumit, mungon emocioni por kjo vetëm në dukje pasi në fushë Skënderbeu vendos menjëherë diktatin. Në minutën e 7-të Leonit Abazi jep një krosim të bukur për Pejiç nga e majta që me një prekje të bukur e dërgon në cepin e portierit Bakaj. Me këtë gol djemtë e Josës, duket se dhanë sinjalin për një sfidë që do premtonte shumë gola por nuk ishte kështu.Më pas Laçi e merr veten dhe arrin të shfaqet edhe e rrezikshme. Pejiç humbet në fushë pas golit, ndërsa Abazi s'është në një formë të shkëlqyer duke vënë në panik mbrojtjen kundërshtare. Në minutën e 45-të, Laçi ka shansin më të mirë kur Kastrati godet me kokë në zonë por mbi traverse. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për ujqërit e dëborës.Në fraksionin e dytë, Laçi shfaqet më i karikuar në fushë dhe krijon më shumë se korçarët, por dalja me karton të kuq e Çarles Ofoje duket se penalizon laçianët. Gjithsesi fituesit e Kupës së Shqipërisë nuk dorëzohen dhe besojnë deri në sekondën e fundit, ku një goditje e Stipe Buljan çon ndeshjen në shtesë, me Skënderbeu që pagoi përgjumjen. Ndërkohë që në minutën e 95-të dhe Orelesi lë me 10 vetë korçarët, pasi del me karton të kuq, duke barazuar dhe forcat në fushë. Gjithsesi gol në shtesë nuk do të ketë dhe gjithçka do të zgjidhet nga pika e bardhë.Zefi shpërdoron të parën për Laçin, por në serinë e tretë, gabon dhe Ademir për korçarët. 11-metërshat e katërt janë ato që vendosin dhe goditen nga dy portierët, me Shehin që u tregua i saktë ndërsa Bakaj gaboi, duke i dhënë mundësinë Fagut që t'i dorëzojë trofeun Skënderbeut, që arrin të thyejë më në fund mallkimin e Superkupës, duke e fituar për herë të parë. Tashmë kampionët e Shqipërisë duhet të fillojnë përgatitjet për ndeshjen e Europa League me një moral më të lartë pas këtij trofeu të fituar.