Shkodër, trafik i rënduar nga emigrantët dhe rrugët e papërfunduara
Sezoni turistik dhe kthimi i emigrantëve ka rënduar trafikun në rrugët që përshkojnë qytetin e Shkodrës.Vështirësitë më të shumta janë në aksin rrugor drejt Velipojës tek Harku i Bërdicës, në hyrjen për në qytetin e Shkodrës pranë urës së Bunës, dhe sigurisht edhe në brendësi të këtij qyteti. Ora 10 e paradites dhe 18 e pasdites janë piku i këtij trafiku që është më shumë i ndjeshëm gjatë fundjavës.Lëvizja në rrugët kryesore të qytetit përballet me një trafik tejet të rënduar gjatë këtyre orareve, ku vargu i makinave arrin në disa kilometra. Krahas numrit të lartë të automjeteve, shkak për këtë rendim të trafikut janë edhe mungesa e rrugëve alternative kryesisht në hyrje- daljet drejt qytetit, si dhe për shkak të punimeve që kanë mbetur përgjysmë në disa prej akseve kryesore në qytetin e Shkodrës. Duke mos mjaftuar këto elemente, mos respektimi i sinjalistikës rrugore dhe kundravajtjet e shumta sjellin një rëndim të metejshëm të situatës, ndërsa policia rrugore e ka të pamundur për të disiplinuar lëvizjen në të gjitha segmentet problematike.Megjithëse ka patur shtim të patrullave dhe kontrolleve nga ana e policisë rrugore, sërish fenomeni i trafikut në Shkodër është përsëritur dhe mbetet një problem pa zgjidhje gjatë sezonit veror atëherë edhe kur numri i automjeteve disa- fishohet sipasojë e ardhjes së emigrantëve nga shtetet fqinje për të kaluar pushimet në vendin tonë.