By Passi i Shkodrës punimet përgjysëm, plehrat mbulojnë rrugën

Tashmë është fakt, By passi i Shkodrës përveçse i braktisur është kthyer edhe në vend-hedhje mbeturinash duke rrezikuar që brenda një kohe të shkurtër ti zërë vendin, varrezave të dëshmorëve. Por në këtë zonë rreziku është edhe më i madh, pasi i ndodhur ngjitur me brigjet e liqenit të Shkodrës, përveç ndotjes së mjedisit ai rrezikon edhe këtë pasuri kombëtare, pjesë e zonës së mbrojtur Ramzar.Askush deri me sot nuk shqetësohet për këtë realitet të ri që është krijuar dhe po krijohet dita - ditës, as Bashkia dhe as Ministria e linjës që ka financuar për të avancuar punimet deri në këtë pikë. Natyrisht që sa më shumë kohë që të kalojë dëmi do të jetë më i madh, e madje do të nisë edhe telenovela tjetër, për të gjetur se kush do të jetë përgjegjësi për të larguar këto tonelata mbetjesh, inerte të ndërtimeve dhe mbeturina.Dëmtimet në këtë investim të cilësuar të një rëndësie të veçantë janë të shumta dhe vetëm për riparimin e tyre do të duhen disa miliona të tjerë, pa përmendur këtu fazat e punimeve që kanë mbetur pa u realizuar që prej braktisjes që firmat i bënë kësaj vepre.Tashme By passi jo vetëm që nuk do ta mbrojë qytetin nga përmbytjet, e aq më pak të shërbejë si rrugë kalimi, por do të ndikojë për të shkatërruar edhe me shumë zonat përreth dhe liqenin e Shkodrës këtë pasuri, që të gjithë e kanë braktisur prej vitesh. Fatkeqësisht Shkodra është ndër të paktat qytete në Ballkan apo edhe më gjerë me kaq shume pasuri të dhuruara nga natyra, por që dora e njeriut dhe vetë institucionet shtetërore punojnë dhe bekojnë shkatërrimin e tyre. Me këtë gjendje rrezikohet që e nesërmja të jetë shumë vonë për të ndërhyrë, pasi deri atëherë mund të mos ketë mbetur asgjë.