“Lufta” ndaj ndërtime pa leje, Rama faqe online: Denonconi në “www.stoprrenimit.com”

Në aksionin e shpallur prej tij për prishjen e ndërtimeve pa leje, kryeministri i ardhshëm Edi Rama ka kërkuar ndihmën e qytetarëve shqiptarë. Përmes faqes së tij në "Facebook” dhe Twitter”, Rama i fton ata që të përdorin celularët e tyre në kuadër të fushatës kundër ndërtimeve pa leje. Denoncimi i ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare, apo edhe në zona të tjera, qytetarëve do t’u mundësohet nëpërmjet një faqe të re online të krijuar nga partia Socialiste. Të gjithë ata që konsistojnë në një rast abuziv, mund ta denoncojnë këtë rast në portalin më të ri "www.stoprrenimit.com".“Nga sot celulari yt mund të jetë edhe një armë e pazëvendësueshme për ta ndalur rrënimin! #‎StopRrenimit përmes këtij linku: www.stoprrenimit.com. StopRrenimit.com është hapësira ku secili prej jush mund të kontribuojë në betejën jetike kundër kancerit të abuzimit me territorin në bregdet - po edhe në qytetin tuaj. Celulari juaj mund të bëhet një armë e pazëvendësueshme në këtë betejë mes inercisë së rrënimit dhe ëndrrës së Rilindjes Shqiptare. Fotot apo videot e marra në vendin e një krimi ndaj pasurisë sonë të përbashkët, të postuara në këtë hapësirë jo vetëm do na ndihmojnë me informacion në kohë reale nga territori por edhe do dekurajojnë ndjeshëm abuzuesit” shkruan Rama.Në vijim kreu i PS sqaron se kjo betejë nuk është thjesht e qeverisë së re, po e gjithë shoqërisë dhe e çdo qytetari që jeton e punon për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.“Kjo betejë nuk është thjesht e qeverisë së re, po e gjithë shoqërisë dhe e çdo qytetari që jeton e punon për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Ky kancer agresiv rrezikon të shkatërrojë potencialin e madh të zhvillimit turistik të vendit dhe bashkë me të vetë të ardhmen e Shqipërisë. Prandaj unë ju ftoj që këtë betejë fisnike ta bëjmë së bashku dhe ta fitojmë së bashku. Për dinjitetin tonë qytetar e shoqëror. Për interesin tonë kombëtar e publik. Për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër!"thekson ai.