Fluks në Morinë, 20 mijë shtetas çdo ditë hyjnë në Shqipëri
Orët e para të mëngjesit të sotëm kanë shënuar një fluks të madh të shtetasve kosovarë të cilët i janë drejtuar Shqipërisë për të kaluar pushimet, përmes pikave të kalimit kufitar që e lidhin vendin tonë me Kosovën.Vetëm mëngjesin e sotëm kanë hyrë në territorin shqiptar më shumë se 10 mijë shtetas ndërkohë që i gjithë ky fluks është përballuar me 6 sportele të ngritura nga ana e policisë kufitare.Në 24 orë, në pikën kufitare të Morinit në Kukës, hyjnë rreth 20 mijë shtetas të cilët destinacion kryesor kanë Durrësin, Vlorën, Shëngjinin apo Velipojën.Burime të policisë kufitare në Kukës thonë se nga data 1 Gusht deri më 15 të po të këtij muaji, në Shqipëri kanë hyrë më shumë se 200 mijë shtetas me më shumë se 70 mijë automjete. Sakaq, kanë dalë nga Shqipëria më shumë se 200 mijë të tjerë me 50 mijë automjete.Po të njëjtat burime thonë se fluksi vjen duke u rritur cdo ditë për shkak të mbarimit të muajit të Ramazanit dhe dyndjes së mijëra pushuesve kosovar drejt bregdetit të Shqipërisë.