Përmet, Pallati i Kulturës i kthehet qytetarëve

Pas 16 vitesh nën “pushtimin” e Kishës ortodoske më në fund Pallati i Kulturës në Përmet është kthyer në identitet. Përfaqësues së zyrës së përmbarimit kanë ekzekutuar gjatë ditës së sotme vendimin e gjykatës për lirimin e këtij ambjenti nga kisha dhe përfaqësuesit e saj, vendim ky që duhet të ishte zbatuar 10 vite më parë.Gjatë ekzekutimit të vendimit palët janë konfrontuar mes tyre dhe përmbaruesit kanë hasur në kundërshtimin e priftërinjve të cilët në asnjë mënyrë nuk kanë dashur të lirojnë ambjentet.Bashkia Përmet dhe kisha ortodokse prej 16 vitesh kanë qënë në konflikt mes tyre për truallin në të cilin është ngritur godina dy katëshe e Pallatit të Kulturës.I ndërtuar në vitin 1962 ky pallat, dikur krenaria e përmetarëve ka heshtur së funksionuari në vititn 1997 kohë në të cilën u zaptua edhe nga Kisha ortodokse.Fatos Alimadhi kryetar i zyrës së përmbarimit është shprehur se janë kërcënuar nga ana e përfaqësuesve të kishës ndërkohë që ka sqaruar se Gjykata Kushtetuese, në vitin 2002, ka dhënë vendimin  në favor të pushtetit vendor, por prej 11 vitesh ky objekt u mbajt forcërisht nga Kisha Ortodokse.Pallati i Kulturës funksionoi si objekt fetar prej 26 maj 1997, falë një vendimi të Komisionit të Pronave  Përmet.Pallati i Kulturës ka një sipërfaqe rreth 6000 metra, ndërsa Zyra e Përmbarimit ka tentuar 15 herë të ekzekutoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por fatkeqësisht janë penguar nga përfaqësuesit e Kishës.