KLSH “shuplakë” Fullanit: Dieta më të larta se Nishani, paga jashtë realitetit

Kontrolli i Lartë i Shtetit akuzon Bankën e Shqipërisë për shpenzime të larta, që janë jashtë realitetit shqiptar, por edhe abuzime. Nga auditimi ka rezultuar nivel shumë i lartë i pagesave për nivelet drejtuese, si pagë dhe shpërblime të ndryshme, por dhe të trajtimeve për udhëtime e dieta, krahasuar me nivelin e pagës të punonjësve të institucioneve kushtetuese.Në këto kushte KLSH rekomandon të rishikohet Ligji për Bankën e Shqipërisë, në frymën e minimizimit të riskut potencial të abuzimit me pavarësinë dhe shmangies së konfliktit të interesit që evidentohet në praktikat e përcaktimit të pagave dhe shpërblimeve për nivelet drejtuese.Si dhe të përcaktohet një kornizë e kujdesshme rregullatore në lidhje me nivelin e pagës së Guvernatorit, e cila duhet të ndjekë trendin e pagave të tregut bankar, por gjithmonë duhet të jetë në raporte të pranueshme krahasuar me pagën e Presidentit të Republikës, bazuar kjo në përvojat dhe praktikat më të mira të vendeve të ngjashme, por pa harruar përshtatshmërinë me realitetin shqiptar.Shembulli më i mirë për të ilustruar këtë konstatim janë dietat. Shpenzimet për udhëtime e dieta jashtë vendit të Guvernatorit Ardian Fullani dhe anëtarëve të Këshillit mbikqyrës janë pothuaj sa dyfishi i atij të Kryeministrit, ose 60 euro më tepër se dieta e Presidentit të Republikës dhe ku vetëm dietat e Drejtorëve të Departamenteve krahasohen me dietën e Presidentit.KLSH kërkon që të rishikohen nivelet e dietave ditore të zbatueshme për të gjitha kategoritë e punonjësve të Bankës së Shqipërisë. KLSH vëren se përfitimi financiar me 20 ditë përpara, është i pa argumentuar me fakte dhe dokumente zyrtare, ndaj rekomandohet qe të ndiqet proçedura ligjore, të kontabilizohet dhe arkëtohet detyrimi i përfituar padrejtësisht nga 16 punonjës në shumën 205,866 lekë.KLSH kërkon gjithashtu ndryshimin e mënyrës së përzgjedhjes së audituesit të pasqyrave financiare për të shmangur konfliktin e interesit në përzgjedhjen e tij, duke ia kaluar këtë kompetencë Kuvendit të Shqipërisë. Auditimi kontstaon gjithashtu se janë tejkaluar afatet e përfundimit të punimeve për godinën në qendër të Tiranës, dërsa është shtyrë proçedura e tenderimit për punimet në godinën e ish-Hotel Dajtit.Ose duhet penalizuar sipërmarrësi,ose duhen nderprere kontratat, gje qe nuk eshte bere. KLSH kerkon te vlerësohet kostoja e pagesave të qirasë , të cilat vazhdojnë të paguhen nga Banka e Shqipërisë, ndërkohë që për kohën e shtyrjes së kontratave, kjo kosto duhet t'i ngarkohet sipërmarrësit që nuk ka realizuar në kohë projektin, ose nëse janë fajtorë persona brenda BSH-së, të përcaktohen këto përgjegjësi, që efekti të mos rëndojë në rezultatin e Bankës.