Totozani rekomandim MSH për romët: Monitorim të gjendjes shëndetësore

Teksa 37 familjet rome duken të vendosura tashmë për të mos u drejtuar për strehim në ish-repartin ushtarak në Sharrë, Avokati i Popullit Igli Totozani i është drejtuar me një rekomandim Ministrisë së Shëndetësisë, për marrjen e një serë masash në ndihmë të këtyre familjeve.Institucioni i Avokatit të Popullit rekomandon marrjen e masave për trajtimin dhe asistencën e vazhdueshme shëndetësore për pjesëtarët e komunitetit rom në kampin e ish-Dekorit.Sipas Totozanit, MSH duhet të angazhojë strukturat në varësi të saj për monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të këtyre banorëve.“Në përputhje me nenin 22, të Ligjit Nr.8454 datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar me Ligjin Nr.9398 dt.12.05.2005, ku thuhet se: “Organet të cilave Avokati i Popullit u ka drejtuar një rekomandim, kërkesë apo propozim për shkarkim, duhet ta shqyrtojnë rekomandimin, kërkesën apo propozimin për shkarkim dhe të kthejnë përgjigje brenda 30 ditësh nga data e dërgimit të rekomandimit, kërkesës apo propozimit për shkarkim. Përgjigja duhet të përmbajë shpjegime të arsyetuara për çështjen në fjalë, si dhe çfarë veprimesh, mosveprimesh apo masash ka ndërmarrë ai organ”, kërkojmë të vihemi në dijeni brenda afatit 30 ditor për qëndrimin tuaj, ndaj këtij rekomandimi.”- rekomandon Avokati i Popullit.Ndërkohë 37 familjet e komunitetit rom vazhdojnë të jetojnë në barakat e improvizuara në trotuarin e Rrugës së Kavajës pasi u dëbuan nga banesat në këtë zonë. Romët shprehen se në strehën e Sharrës nuk mund të shkojnë pasi ajo godinë sipas tyre nuk përmbush kushtet më minimale për jetesë.