“Do kthejmë parlamentarizmin”, Vasili: Berisha të bëjë një opozitë serioze

Një biznes të shëndoshë në treg dhe më shumë të ardhura për buxhetet familjare. Ky është kapitalizmi që do të ofrojë për qytetarët shqiptarë mazhoranca e re qeverisëse. Zëvendës.kryetari i LSI, Petrit Vasili, në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj ndërsa deklaroi se bashkëqeverisja 1 mujore dhe pse jo efektive me PS po shkon shumë mirë, shpalosi edhe sfidat e 100 ditëshit të parë qeverisës.“Forca jonë LSI-PS u testua në zgjedhjet e 23 qershorit , me rezultat spektakolar. Dyshimet janë davaritur. Projekti i krijimit të qeverisë së re eci me rrugën e një sinkronizmi politik, eci në rrugën e një pozitiviteti, të një bashkëpunimi që ecën dhe përparon. 100 ditëshi i parë është sfidë e disa veprimeve emergjente për të vënë në vend disa gjëra që e pengojnë për të ecur shpejt. Por me rëndësi është sesi kjo mazhorancë e shikon veten për katër vjet. Duhet sqarim i qartë i financave të shtetit, të mos kemi shthurje të sistemit fiskal, arsimi, shëndetësia. Në këtë 4 vjecar qeveria do ecë në atë drejtim që biznesi të lëvizë dhe buxheti familjar të ketë më shumë të ardhura. Ky është kapitalizmi i mazhorancës së re. Të tërë sektorët do kenë rëndësinë e tyre, por fokusi kryesor do jetë këtu” tha ai.

Zgjedhja për të lënë jashtë bashkëqeverisjes aleatët e tjerë të PS, ishte një zgjedhje e lidershipit socialist, por kjo shton Vasili, nuk e bën më të dobët qeverisjen PS-LSI.

“Kjo është pyetje që shkon tek Edi Rama. Ai e ka shpjeguar me arsyet politike. PS-LSI në parlament kanë një peshë shumë specifike dhe marrja e përgjegjësive nuk është e lehtë. Kjo u shton përgjegjësinë para parlamentit, popullit dhe nuk u lehtëson misionin. Shpjegimet që Rama ka dhënë është një cështje që zgjidhin problemin. Dule dhe  Frroku kanë nga një deputet dhe kanë mundësinë e duhur që të akomodohen dhe të ndjehen mire” deklaroi zëvendës.kryetari i LSI.

 Ndërsa hedh poshtë ekzistencën e dy qeverive të majta, Vasili  vë në pikëpyetje nëse deklararat e dala nga faqja zyrtare e Kryeministrit Berisha mbajnë apo jo “firmën” e tij. Duke mbetur tek lideri i PD dhe opozita e re, zoti Vasili nuk kërkon një opozitë konsensuale nga shtatori e në vijim, por as oponencë të prirur nga imagjinata që s’bën tjetër sipas tij veçse argëton qytetarët.

‘Unë kam krijuar një bindje se nuk i shkruan më zoti Berisha këto gjëra, janë të atyre vajzave dhe djelmoshave që kurojnë faqen e doktorit, janë capkanlleqe të këtyre. Këto janë kaq qesharake sa nuk meritojnë koment. Shpallja e kabinetit dhe puna për programin është dëshmi e një bashkëpunimi shumë të mirë. Opozita ka një detyrë, është normale të jetë racionale dhe konstruktive, të jetë oponte e fortë. Ka të gjitha mundësitë për të qenë cilësore. Po u prir nga imagjinata në vend të realitetit nuk mund të jetë një opozitë e mirë. Opozita serioze fillon dhe bën opozitë kur betohet qeveria e re dhe shpalos programin. Ajo po kritikon sot, ndërkohë që cdo të mërkurë Berisha mban mbledhje qeverie. Opozita nuk duhet të jetë një opozitë që argëton njerëzit në plazh” tha më tej Vasili.

Po si e sheh parlamentin Petrit Vasili nën drejtimin e kryetarit të partisë së tij, Ilir Meta?

Ilir Meta është një politikan që në 360 gradë ka emancipuar politikën shqiptare. Sot është në momentin më të mirë të pjekurisë së tij politike. Ai ka marrë përsipër një detyrë shumë të vështirë, të drejtojë një parlament që ka gjeneruar shpesh shthurje morale të tij, banalizma, konfliktualitet. Qënia e tij atje është një dimension i ri, për një parlament të fortë, që prodhon gjithcka, që nga ligjet. Është një nga mesazhet më forta që bashkëpunimi politik PS-LSI është në rrugë të mbarë. Nuk ka një të dytë si Ilir Meta në politikë që të investohet më mirë se ai në këtë pozicion.