Totozani tryezë për romët: Zgjidhje e përhershme, të respektohen të drejtat
Testi në fjalë, siç edhe e quan Totozani, është një mesazh shuëm i keq për Europën, familje në të cilën aderojmë për të qenë pjesë e saj.Është mirë të merret statusi kandidat, thekson më tej Avokati i Popullit, por jo mbi kurrizin dhe vuajtjen e një grupi të caktuar qytetarësh.
“Ne duam të integrohemi në Europë dhe këtë se bëjmë dot pasi të hymë. BE kërkon nga ne disa kritere. Po marrim dy, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut. S’ka më bukur se të shikosh teste të kësaj natyre. Nëse do ishim shtet i vërtetë i së drejtës pronarët e truallit do ti drejtoheshin gjykatës për të marrë të drejtën e pronës së tyre dhe Avokati i Popullit s’do kishte gojë për të folur. Ka ndodhur kjo? Jo, janë dëbuar me dhunë. Ndërkaq patëm një heshtje 12 ditore, çfarë mesazhi merr Europa për këtë, është një nga 12 rekomandimet e BE. Ne nuk na kërkohet më miratoni këtë ligj, apo atë ligj. Na kërkohen vlerat organike, sesa këto vlera europiane janë bërë tonat. Unë s’kam asnjë interes personal në këtë çështje. Unë e kam mision këtë gjë. Kemi ftuar të gjitha institucionet në tryezën e së martës. Ne kemi merakun do hyjmë apo jo në BE nga kjo ngjarje e romëve, por statusi më i rëndësishëm janë njerëzit që vuajnë. Së shpejti ne do kemi një raport të rëndësishëm mbi problematikën e këtij komuniteti në gjithë Shqipërinë” theksoi Totozani.
Duke shprehur angazhimin e institucionit që ai drejton për të kontribuar në pasjen e një shteti ligjor, Totozani tha se ka ngritur një grup pune, i cili do nisë një hetim administrativ për të parë sesi ka ecur ndjekja e kallëzimeve penale të bëra nga anëtarët e familjeve rome.
“Unë kam folur me zotin Burgaj, një ditë të tërë u ndërpre dëbimi i romëve, por më pas filloi sërish. Ne kemi ngritur një grup pune dhe do fillojmë hetim administrativ për të parë sesi ka ecur ndjekja e kallëzimeve penale. Nuk mundet dhe nuk duhet që qytetarët tanë të aventurohen në zgjidhje personale për problematika të tilla. Ne mbrojmë edhe të drejtat e pronarëve.Unë do vazhdoj angazhimin tim deri në fund për të pasur një shtet ligjor” tha më tej Avokati i Popullit.
Ndërsa risolli edhe nëjherë në vemendje fabulën e gjithë kësaj historie, tashmë të njohur për opinionin e gjerë, Totozani apeloi të shmanget vetëgjyqësia. Ndërkaq ai u bëri thirrje edhe njëherë organeve kompetente të marrin përgjegjësitë dhe të ndërhyjnë për zgjidhjen e situatës një orë e më parë.
“Çështja është shumë e thjeshtë. Kemi një pronar dhe një komunitet rom që jetojnë aty që prej 15 vitesh. Besoj se jemi një shtet i së drejtës, pra e drejta prevalon. Është një konflikt civil. Ka dy mënyra për zgjidhje, të marrësh sopatën, ti kërcënosh dhe prishësh barakat dhe mënyra tjetër është shteti i së drejtës përmes legjislacionit, ku pronari duhet ti drejtohet gjykatës. E njëjta gjë ndodh dhe me gjakmarrjen. Në momentin e parë kur romët kanë ardhur në zyrën time kam kuptuar që është konflikt civil, pronar dhe rom, jo firma ndërtuese. Pronari duhet ti drejtohej gjykatës, edhe vetë romët kur kanë ardhur në zyrën time kanë thënë këtë që po them unë. Kam kontaktuar dhe me pronarin e firmës ndërtuese zotin Deliorgji që më ka thënë se zotëron të gjithë dokumentacionin e duhur. Kjo është nga ato cështje që i ul pikë të mënjëhershme shtetit shqiptar. Përball këtij konflikti Avokati i Popullit nuk është kompetent, nuk e zgjidh dot. I vetmi organ që ka kompetencën ligjore për të zgjidhur një konflikt civil mes dy subjekteve është gjykata. Është e njëjta procedurë që ndodh me ish pronarët dhe qiramarrësit. Jo vetëgjyqësi, ky është precedent i rrezikshëm. Ju e dini sa pronarë ka në Shqipëri që zotërojnë pronën, madje dhe vendime gjyqësore mbi të, dhe cdo ndodhte po të ndiqnin të njëjtën rrugë, do ngjante një luftë shpatash. Avokati i Popullit ka vetëm një shikim, ata monitories dhe nxitës të institucioneve për të zgjidhur cështjen. Romët u ankuan tek unë dhe kanë bërë kallëzime penale për ushtrim dhune në komisariatin numër 2. Policia duhet të ndërhyjë që të marrë fund kjo vetëgjyqësi. Kallëzimet penale të bëra nga qytetarët, duhen hetuar deri në fund” përfundon Totozani.
Familjet rome u dëbuan nga banesat e tyre nga një firmë private, megjithëse drejtori i policisë Burgaj kishte dhënë urdhër për mos dëbimin e tyre. Të ndodhur në këto kushte, ata kanë ngritur prej ditës së djeshme disa baraka të improvizuara në trotuare.