S’ka bashkim të demokristianëve, Bushati: Qeveria e re do sjellë ndryshim
Nuk ka negociata për krijimin e një partie të vetme demokristiane dhe shkrirjen e katër partive kristiane në vend. Të paktën nuk ka patur kontakte mes kryetarit të Aleancës Demokristiane, Zef Bushati, me kreun e PDK-së Nard Ndoka dhe atë të LDK, Nikollë Lesi, ndërsa ka patur konsultime me kreun kristian demokrat Mark Frroku. Sipas Bushatit që të bëhet shkrirja e partive politike, kryetarët fillimisht duhet të konsultohen me strukturat dhe jo të vendi sikur partia të jetë pronë e kryetarit.Ndërsa është tashmë pjesë e koalicionit të majtë qeverisës, Bushati vlerëson kabinetin e ri të kryeministrit të ardhshëm Edi Rama, ndërsa beson se do të jetë në thelb një kabinet që do të realizojë ndryshimin e kërkuar nga shqiptarët. Për Bushatin ndryshimi i kërkuar mund të arrihet, pavarësisht se në këtë kabinet do të jenë Ministra të LSI, që kanë qeverisur edhe me Berishën, ky ndryshim tha Bushati është në konceptimin e qeverisjes.Në këtë drejtim ai thotë se punonjësit e administratës që do të mirëpresin këtë koncept nuk kanë arsye të largohen nga puna. Mospërfshirja e aleatëve të tjerë në qeverisje me Ministra është mirëmenduar nga dy liderët e së majtës. Bushati thotë se është përgjegjësi e Kryeministrit Rama ky vendim, ndërsa shton se në kuadër të reformave kundër korrupsionit duhet të ngrihet një FBI shqiptare, të cilën mund ta drejtonte Spartak Ngjela, i cili nuk mori asnjë post Ministri.