Dëbimi i romëve, Totozani të martën tryezë të rrumbullakët, merr pjesë dhe Sequi
Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje konkrete për familjet rome, të dëbuara nga banesat e tyre të improvizuara në Rrugën e Kavajës, Avokati i Popullit, organizon të martën një tryezë të rrumbullakët në sallën Onufri, tek Hotel Tirana International.Pjesë e kësaj tryeze do të jetë edhe Ambasadori i BE, Z. Sequi, përfaqësuesja e OKB në Shqipëri, Znj. Touimi-Benjelloun si dhe ambasadorë të tjerë. Në këtë treyezë të rrumbullakët do të marrin pjesë gjithashtu institucione shtetërore dhe komuniteti ndërkombëtar.Familjet rome u dëbuan nga banesat e tyre nga një firmë private, megjithëse drejtori i policisë Burgaj kishte dhënë urdhër për mos dëbimin e tyre. Të ndodhur në këto kushte, ata kanë ngritur prej ditës së djeshme disa baraka të improvizuara në trotuare.Gjatë ditës së sotme ata kanë protestuar përpara Bashkisë së Tiranës. Ata kërkojnë nga ky institucion, por edhe nga Ministria e Punës që të merren masa sa më shpejt për strehimin e tyre.Lidhur me situatën është prononcuar më herët edhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.Në një deklaratë për shtyp, Ministria thekson se gjithë këtë periudhë ka qenë në bashkëpunim me shoqatat përfaqësuese të romëve dhe është treguar e gatshme për zgjidhjen e konfliktit që është krijuar për shpërnguljen e romëve për t’i akomoduar dhe për t’i mbështetur në Qendrën Kombëtare Pritëse të Rehabilitimit të Familjeve Rome që ndodhet në zonën e Sharrës, afër Kombinatit.Gjithashtu Ministria e Punës thekson se ka menaxhuar situata të tilla edhe në 2010 ku u bë nevojë emergjente strehimi i disa familjeve rome të zhvendosura nga “Stacioni i Trenit”.Ndërkohë, Ministria e Punës u bën thirrje disa institucione që të mos bëhen pjesë e ndërlikimit të situatës dhe shfrytëzimit politikisht të saj.