Dëbimi i romëve, Ministria e punës:Të gatshëm për t`i strehuar
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka reaguar sot në lidhje me situatën e krijuar pas dëbimit të disa familjeve rome nga trualli i ish ndërmarrjes artistike, tek kryqëzimi pranë Pallatit me Shigjeta.Në një deklaratë për shtyp, ministria thekson se gjithë këtë periudhë ka qenë në bashkëpunim me shoqatat përfaqësuese të romëve dhe është treguar e gatshme për zgjidhjen e konfliktit që është krijuar për shpërnguljen e romëve për t'i akomoduar dhe për t'i mbështetur në Qendrën Kombëtare Pritëse të Rehabilitimit të Familjeve Rome që ndodhet në zonën e Sharrës, afër Kombinatit.“Kjo sipërfaqe, me Vendim të Këshillit të Ministrave, është transferuar tek Shërbimi Social Shtetëror, ku me një buxhet të Ministrisë është nënshkruar kontrata për rikonstruiksionin e shtatë godinave që ndodhen në këtë Qendër. Ministria e Punës ka një bashkëpunim të ngushtë me aktivistë të Amnesty International, me Komisioneren Antidiskriminim, me shoqatat përfaqësuese të romëve dhe institucionet e tjera ndërkombëtare për të zgjidhur këtë problem kompleks, siç është strehimi i romëve dhe i shtresave të tjera vulnerable” thuhet në deklaratë.Gjithashtu Ministria e Punës thekson se ka menaxhuar situata të tilla edhe në 2010 ku u bë nevojë emergjente strehimi i disa familjeve rome të zhvendosura nga "Stacioni i Trenit".“Qendra e Sharrës është prej një sipërfaqe 40 mijë metra katrorë dhe nga koordinimi i të gjitha institucioneve mund të ofrojë zgjidhje për menaxhimin e situatës së krijuar nga konflikti” thekson ministria.Ndërkohë, ministria e punës u bën thirrje disa institucione që të mos bëhen pjesë e ndërlikimit të situatës dhe shfrytëzimit politikisht të saj.