Mbyllen hetimet për “Metamorfoza 2”, SPAK dërgon në gjyq Ervis Martinajn, Nuredin Dumanin dhe 7 të tjerë

Gati katër vjet pas zhdukjes së Ervis Martinajt, fati i të cilit mbetet ende zyrtarisht i panjohur, SPAK ka mbyllur hetimet për një fraksion të dosjes “Metamorfoza 2” dhe ka dërguar për gjykim të ashtuquajturin “Mbreti i Kumarit”, së bashku me tetë persona të tjerë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Martinaj akuzohet për vrasjen me paramendim të Gjin Ndojit, i njohur edhe si Gjin Boriçi, ngjarje e ndodhur më 9 gusht 2020 në Shkodër.

Ai akuzohet gjithashtu për sigurimin e kushteve për vrasjen e Kleant Musabelliut, mbajtje pa leje të armëve dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Hetimet janë mbyllur edhe për Nuredin Dumanin, i cili po gjykohet paralelisht në dosjen e megaoperacionit “Plumbi i Artë”. Dumani ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg” dhe ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Në këtë çështje, ai akuzohet për sigurimin e kushteve për vrasjen e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit, krime që, sipas SPAK-ut, janë planifikuar në kuadër të veprimtarisë së një grupi kriminal.

Ndërkohë, Eljon Hato akuzohet për tentativën e vrasjes së Taulant Pepajt.

Për herë të parë në këtë fraksion hetimor, SPAK ka zbardhur edhe një tentativë për korruptimin e funksionarëve të drejtësisë. Për këtë episod, Bardhyl Mavraj dhe Arsad Bashli akuzohen për korrupsion aktiv.

Në dosje janë përfshirë gjithashtu Denis Brajoviç, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra dhe Aleks Ndreka, të dyshuar si pjesëtarë të grupeve kriminale. Disa prej tyre nuk janë arrestuar gjatë operacionit të zhvilluar rreth tre vjet më parë.

Me përfundimin e hetimeve, çështja pritet të kalojë në fazën e gjykimit.

Ervis Martinaj u shpall në kërkim në maj të vitit 2022, pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili deklaroi se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro për eliminimin e Indrit Dokles.

Në gusht të po atij viti, familjarët denoncuan zhdukjen e tij dhe autoritetet ende nuk kanë dalë në përfundime se cili është fati i Ervis Martinajt