Sika: Pushimet këtë vit më të shtrenjta, çmimet në strukturat akomoduese rriten me 5%
Sezoni veror në qytetin e Vlorës ka hyrë në një fazë më intensive, me rritje të numrit të pushuesve vendas dhe të huaj. Gazetari Ermal Sika, në një lidhje për “Ora News”, raportoi nga zona e Ujit të Ftohtë se fluksi i turistëve është shtuar ndjeshëm në gjysmën e dytë të korrikut, ndërsa operatorët turistikë presin kulmin e sezonit në muajin gusht.
Sipas raportimit, plazhet e Vlorës po frekuentohen nga një numër i konsiderueshëm turistësh, ndërsa krahasuar me fillimin e korrikut dhe muajt paraardhës, vihet re një rritje e ndjeshme e prenotimeve.
Operatorët turistikë bëjnë të ditur se këtë vit kapacitetet akomoduese janë rritur me rreth 10% krahasuar me një vit më parë. Vlora ka mirëpritur turistë nga vende si Spanja, Portugalia, Suedia dhe Italia, ndërsa tregjet e reja kanë ndihmuar në kompensimin e rënies së numrit të pushuesve italianë.
“Ndryshe nga vitet e kaluara, kur italianët dominonin numrin e turistëve, këtë sezon kemi një rritje të vizitorëve nga tregje të tjera, veçanërisht nga Suedia”, raportoi Ermal Sika.
Pavarësisht shqetësimeve për ndikimin e situatës ndërkombëtare dhe tensioneve në Lindjen e Mesme, operatorët thonë se sezoni po ecën pozitivisht dhe pritshmëritë për muajin gusht janë të larta.
Megjithatë, pushimet këtë vit janë më të kushtueshme. Sipas të dhënave nga sektori turistik, çmimet në strukturat akomoduese janë rritur me rreth 5%, një rritje që operatorët e lidhin me kostot më të larta të operimit dhe rritjen e çmimit të karburanteve.
Sa i përket çmimeve të plazhit, Bashkia e Vlorës ka vendosur një tavan për çadrat dhe shezllonët deri në 7 mijë lekë të vjetra, ndërsa operatorët deri tani duket se po e respektojnë këtë kufi. Tarifat variojnë nga 6 mijë lekë të vjetra në zonën e Zvërnecit deri në rreth 15 mijë lekë në zona si Radhima.
Në fillim të sezonit pati problematika me ndarjen e hapësirave të plazheve, por sipas raportimit ato janë zgjidhur. Agjencia Kombëtare e Bregdetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës, vijon kontrollet për të parandaluar abuzimet me hapësirat publike.
Gjithashtu, këtë sezon janë shtuar edhe zonat publike të plazhit, duke krijuar më shumë mundësi për qytetarët që nuk mund të përballojnë kostot e strukturave private.
Vlora po përjeton një sezon turistik me rritje të numrit të vizitorëve dhe me pritshmëri të larta për muajin gusht. Edhe pse çmimet kanë pësuar rritje, operatorët turistikë vlerësojnë se kërkesa mbetet e lartë dhe tregjet e reja po sjellin një sezon më të qëndrueshëm për bregdetin shqiptar.
Ermal Sika: Me temperatura shumë të larta ka nisur edhe kjo ditë, në prag të fundjavës, në qytetin bregdetar të Vlorës, sikundër po ndiqni edhe nga pamjet që shfaqen pas meje. Unë jam në zonën tek tuneli, në Ujin e Ftohtë. Ka një numër të konsiderueshëm të pushuesve vendas e të huaj që frekuentojnë plazhet. Patjetër, patjetër. Krahasuar edhe me 15-ditëshin e parë të korrikut apo edhe me muajin maj, duket se 15-ditëshi i dytë i këtij muaji ka nisur i mbarë sa i përket frekuentimit të plazheve. E ndërsa deri më tani kemi patur një sezon i cili është realizuar gjatë fundjavave me fluks të lartë, kemi një shtim edhe gjatë ditëve të javës, sikundër është edhe kjo ditë e sotme e premte.
Megjithatë mund të themi se edhe nga kontaktet që unë kam patur me operatorët turistikë, fluksi ka nisur qysh në muajin prill, pra sipas tyre edhe prilli ka qenë i kënaqshëm, ndërsa mund të themi gjithashtu se në këto momente kemi 10% më shumë të ezaurimit të kapaciteteve në të gjithë hotelet e qytetit, pra 10% më shumë akomodime se një vit më parë. Kemi një numër të konsiderueshëm të pushuesve të cilët kanë ardhur nga Spanja, nga Portugalia, nga Suedia, nga Italia. Megjithatë vlen të theksohet se ndryshe nga vitet e tjera kur italianët, ashtu sikundër vitin e kaluar apo edhe dy vite më parë kanë qenë në numër më të lartë, duket se është reduktuar paksa këtë sezon, por kemi tregje të reja që kanë hyrë në Vlorë apo kanë hyrë operatorët turistikë për të sjellë pushuesit.
E duket se Suedia pra ka një numër të konsiderueshëm të pushuesve që kanë ardhur dhe që priten të vijnë edhe në vijim në qytetin bregdetar të Vlorës. E megjithëse u mendua se do të ishte një sezon problematik edhe për shkak të protestave ndoshta, apo edhe të luftës në Lindjen e Mesme, pasi pikërisht kemi patur një numër të konsiderueshëm që kanë ardhur prej andej vitin e kaluar. Megjithatë po rekuperohet ky numër me tregjet e tjera, me të cilat kanë hyrë në kontakte operatorët turistikë. Pritet që edhe në vijim të kemi një rritje të numrit, patjetër që kulmi do të arrijë në fillim të muajit gusht dhe pritshmëritë e operatorëve turistikë janë të larta. Megjithatë vlen të theksohet se kemi një rritje prej 5% të çmimeve në strukturat akomoduese këtë sezon.
Operatorët turistikë shprehen se e justifikojnë këtë edhe ndoshta me luhatjet në tregjet, rritjes së çmimit të naftës, megjithatë nuk është se ndihet edhe shumë një rritje e çmimeve apo abuzime që mund të ketë patur dhe që mund të jenë vënë re gjatë sezoneve të kaluara. Patjetër që është vënë një çmim tavan për çadrat e shezllonët, 7 mijë lekë të vjetër në të gjithë territorin e Bashkisë së Vlorës.
Operatorët e respektojnë këtë, ka tarifa që janë edhe 6 mijë lekë të vjetra në zonën e Zvërnecit, e deri në 15 mijë lekë ndoshta në zonën e Radhimës. Pra nuk është se kemi të paktën deri më tani abuzime. Në nisje të sezonit pati një problematikë sa i përket ndarjes së plazheve, ku disa njësi hoteliere kanë shfaqur problematika pasi nuk ishin në hartën e ndarjes, edhe pse gjatë viteve të kaluara ato stacione plazhi pra kanë qenë të tyre.
Megjithatë është zgjidhur dhe është tejkaluar kjo gjë. Madje Agjencia Kombëtare e Bregdetit thuajse çdo javë del në aksione në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës për të kontrolluar vijën turistike dhe bregdetare ndoshta për ndonjë abuzim të mundshëm sa i përket hapësirave të plazheve. Kemi një numër në rritje edhe të hapësirave publike në qytetin e Vlorës ndryshe nga vitet e kaluara, pra për plazh falas për ata të cilët nuk kanë mundësi.


