25 vjet nga ekzekutimi i Havzi Nelës, busti në nder të tij ende nuk është vendosur
10 gushti është dita kur në Kukës u krye ekzekutimi me varje e disidentit Havzi Nela, nga sistemi komunist. Sot 25 vite më pas, ndonëse ishte vendosur që të ngrihej një bust në nder të kujtimit të tij, asnjë gjurmë nuk duket prej një megaprojekti që nuk u zbatua kurrë.Në këtë shesh duhej të ishte vendosur busti i të ndjerit, por burokracitë dhe harresa e institucioneve kanë bërë që ky fakt të harrohet në sytë e pushtetarëve, por jo në sytë e familjarëve të të ndjerit.Bashkia thotë se çështja është në duart e Ministrisë së Kulturës, e cila duhej të kishte prodhuar dhe vendosur bustin, por një gjë e tillë deri tani nuk është realizuar. Madje, asnjë përpjekje nuk është bërë për ta çuar cështjen deri në fund. Kreu i Bashkisë thotë se institucioni që drejton ka përcaktuar sheshin ku busti mund të vendoset.Havzi Nela,pasi kaloi dhjetera vite burg ne kampet famekeqe te asaj periudhe,u ekzekutua nga diktatura komuniste më 10 gusht të vitit 1988 në qytetin e Kukësit me akuza politike.Persekutimi i tij nisi në vitin 1967 kur, si një mësues i ri dhe poet i talentuar, kundërshtoi kolektivizimin, ndalimin e besimit fetar dhe ndërrimin e veshjeve për gratë e fshatit.