“PASTROHET” ISH-KREU I PROKURIMEVE/ Pushohet çështja ndaj Jonaid Myzyrit për tenderin 2.2 mln euro
Gjykata e Posaçme pushoi çështjen penale ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, pasi SPAK arriti në përfundimin se nuk kishte prova për shkelje në një tender me vlerë 2.2 milionë euro. Myzyri, i cili së fundmi është emëruar në krye të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, u shpall i pafajshëm pas rreth dy vitesh hetime.
Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për pushimin e çështjes penale ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, dhe katër ish-zyrtarëve të tjerë, të hetuar për dyshime mbi shkelje në një tender me vlerë 2.2 milionë euro.
Vendimi u mor nga gjyqtari Paulin Cera, i cili pranoi kërkesën e prokurorit Elvin Gokaj, pasi një akt-ekspertim i administruar gjatë hetimeve arriti në përfundimin se Myzyri nuk kishte kryer vepër penale.
Sipas SPAK, janë shteruar të gjitha veprimet hetimore dhe nuk është provuar konsumimi i veprës penale të “shkeljes së barazisë në tendera” nga Jonaid Myzyri apo ish-vartësit e tij. Për të njëjtat arsye, gjykata vendosi pushimin e procedimit edhe për Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.
Myzyri u hetua për rreth dy vjet në lidhje me një procedurë prokurimi të zhvilluar në vitin 2020, me vlerë rreth 2.2 milionë euro, për mirëmbajtjen e segmenteve rrugore Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit, me gjatësi totale 59 kilometra.
Sipas dyshimeve fillestare të prokurorisë, Komisioni i Prokurimit Publik kishte favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomikë “AEK Munella” dhe “Drini-1”, të cilët fituan tenderin, ndërsa operatori “Kthella” ishte skualifikuar me argumentin se oferta e tij ishte anomalisht e ulët.
Megjithatë, në përfundim të hetimeve, SPAK arriti në përfundimin se nuk kishte prova për përgjegjësi penale, ndërsa Gjykata e Posaçme vendosi pushimin e çështjes për të gjithë të pandehurit.
Ndërkohë, prej disa javësh, Jonaid Myzyri është emëruar në krye të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, një shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik në vlerën mbi 1 000 000 (një milion) lekë pa TVSH, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë”
