Dëbimi i romëve, GSHDNJ: Preçedent i rrezikshëm, të ndërshkohet nga organet kompetente

Dëbimi i romëve është një preçedent i rrezikshëm që duhet të ndërshkohet nga organet kompetente. Deklarata vjen Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, i cili konstaton se lënia në mes të rrugës të 37 familjeve rome është një akt të qartë diskriminimi që sjell si rezultat shkeljen e të drejtës për strehim dhe njëherazi rrezikon të drejtën për jetën të individëve të minoritetit Rom, të fëmijëve dhe grave.“Duke filluar prej datës 3 gusht 2013 e në vazhdim, 37 familje Rome që jetonin prej vitesh në disa baraka në afërsi të ish-uzinës “Enver” në Rrugën e Kavajës i janë nënshtruar dëbimit me forcë nga Mihal Delijorgji i cili është ndërtues i disa pallateve në këtë zonë. Persona të paidentifikuar kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike mbi banorët e minoritetit Rom. Rreth 130 qytetarë Romë detyrohen të zhvendosen nga strehimi i tyre dhe aktualisht kanë mbetur në mes të rrugës, të pastrehë dhe të uritur. GSHDNJ po e ndjek me shqetësim ngjarjen dhe konstaton se veprimet e mësipërme përbëjnë një sjellje të kundraligjshme, të sanksionuar edhe në K.Penal në kuadrin e veprave penale të cënojnë jetën dhe integritetin fizik të shtetasive dhe paralelisht janë një shembull i qartë i cënimit të të drejtave dhe lirive themelore. Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut e konsideron dëbimin e komunitetit Rom të kësaj zone një akt të qartë diskriminimi që sjell si rezultat shkeljen e të drejtës për strehim dhe njëherazi rrezikon të drejtën për jetën të individëve të minoritetit Rom, të fëmijëve dhe grave” thuhet në deklaratën e lëshuar për mediat nga GSHDNJ.“Për fat të keq ky është një rast recidiv i diskriminimit ndaj minoritetit Rom, krejtësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet shqiptare dhe sidomos një shkelje të ligjit kundër diskriminimit, i aprovuar së fundmi nga Parlamenti shqiptar” vijon më tej deklarata, ndërsa u kërkohet organeve kompetente të ndërhyjnë menjëherë për zgjidhjen e situatës.“GSHDNJ i bën thirrje organeve të drejtësisë në RSH dhe veçanërisht institucionit të Policisë së shtetit të Qarkut Tiranë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë që të marrin masa për të identifikuar dhe ndaluar personat që ushtrojnë dhunë psikologjike apo fizike mbi banorët Romë. GSHDNJ i kërkon Bashkisë së Tiranës që të sqaroje çështjen e ndërtimit të pallatit në zonën ku pretendohet nga ndërtuesi Mihal Delijorgji dhe në rast se evidentohet që ekziston leja e ndërtimit konform rregullave, të mundësojë kushte banimi dhe punësimi për Romët që parashikohet në largohen nga ky territor. Gjithashtu i kërkon Bashkisë të fillojë sa më shpejt hartimin e strategjisë për strehimin e qyetarëve që mund të gjenden pas strehë si rezultat i shpërnguljeve nga banesat për shkak pronësie. GSHDNj i kërkon gjithashtu organizatave të shoqërisë civile, medias dhe opinionit publik që të reagojnë ndaj këtij rasti të rëndë që cënon rëndë të drejtat themelore të individit dhe bëhet precedent i rrezikshëm në dëm të shtresave të marxhinalizuara. GSHDNJ bën thirrje për solidaritet të shoqërisë civile, komuniteteve fetare dhe qytetarëve shqiptarë me organizatat e komunitetit Rom për të reaguar ndaj institucioneve të shtetit shqiptar”.Sipas GSHDNj, çështja e Romëve nuk është thjesht problem i njërës qeveri, apo tjetrës, por është e të gjithë politikanëve shqiptarë, të cilët duhet të reagojnë sa më parë për të rregulluar situatën sipas parimeve të ligjeve të të drejtave të njeriut dhe humanizmit.“Në kushtet kur Shqipëria aspiron të bëhet një vend anëtar i BE ekzistenca e rasteve të tilla diskriminuese ndaj minoriteteve e dëmton rëndë imazhin e shtetit të së drejtës dhe mbizotërimit të ligjit” përfundon deklarata.