NJË TALENT I RI NË LETËRSI/ Ajla Hoxha, autorja e vogël që realizoi librin e parë “Rruga drejt një jete të re”

Kjo është Ajla Hoxha, 10 vjeçe, e apasionuar pas librit, imagjinatës dhe krijimtarisë.

Edhe pse e vogël, ajo tashmë ka realizuar ëndrrën e saj, duke nxjerrë në treg librin “Rruga drejt një jete të re”.

Në kopertinën e librit ndodhet një sirenë, personazhi kryesor, përmes të cilit Ajla sjell historinë e një vajze që përballet me sfida, por nuk dorëzohet kurrë.

Shkrimi nuk ka qenë gjithmonë i lehtë për të. Ajo është përballur me sfida të mëdha, por në këtë rrugëtim mbështetja më e madhe ka qenë mamaja e saj.

Pasioni për leximin e ka shoqëruar Ajlën prej vitesh. Ajo ka lexuar dhjetëra libra dhe është vlerësuar në shkollën e saj si nxënësja me numrin më të madh të librave të lexuar.

Përveç shkrimit, 10-vjeçarja merret me balet, pikturë, punime artizanale dhe krijimin e bizhuterive. Punimet e saj mund të gjenden edhe në rrjetet sociale. Ajo beson se kur ekziston dëshira, gjithmonë gjendet edhe koha.

Përmes librit të saj, autorja e vogël dëshiron t’u përcjellë lexuesve një mesazh të thjeshtë, por të fuqishëm.

Me imagjinatë, këmbëngulje dhe dashuri për librin, Ajla dëshmon se mosha nuk është pengesë për të realizuar ëndrrat.