ATENTATI NDAJ PROKURORIT E “RRUMIT”/ Plaurent Dervishaj dënohet me burgim të përjetshëm nga GJKKO

Plaurent Dervishaj u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Posacme pasi u gjet fajtor si organizator I atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, ku mbeti i vrarë Andi Maloku.

Për të njejtën ngjarje Julian Meçaj do të vuajë 35 vite burg.

Gjykata e Posaçme dënoi këtë të premte me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, dhe Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2019. Nga sulmi me armë mbetën të plagosur dy objektivat e atentatit, ndërsa shoferi Andi Maloku humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Anëtari i grupit kriminal të Durrësit u shpall fajtor për tentativën e vrasjes së ish përfaqësuesit të akuzës, aktualisht deputet I Partisë Demokratike,  Arjan Ndojës dhe Aleksandër Lahos dhe vrasjen e Andi Malokut. Ai po ashtu u gjet fajtor si organizator i krimit, përmes sigurimit të kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasje, armëmbajtje pa leje, shkatërrim të pronës me eksploziv dhe vjedhje, vepra të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Nga bashkimi I të gjitha dënimeve gjyqtarja e çështjes vendosi që Plaurent Dervishaj të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm në një burg të sigurisë së lartë.

Për të njëjtën ngjarje u shpall fajtor edhe Julian Meçaj, i cili u dënua me 35 vite burg pas bashkimit të dënimeve

Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj nuk ishin të pranishëm gjatë shpalljes së vendimit që ishte I njejtë me pretencën e prokurorit të SPAK, Adnan Xholi, i cili drejtoi hetimet për këtë dosje.

Sipas SPAK, Plaurent Dervishaj e organizoi atentatin në bashkëpunim me Redjan Rrajën, Ariol Halilin, Julian Meçajn, Bledar Polovinën, Amar Shkëmbin (alias Dritan), Ramazan Rrajën, Endrit Sinanin, Genti Nderjakun, Bashkim Haxhijan dhe Julian Pjetrin.

Dervishaj dhe Meçaj u gjykuan veçmas nga të pandehurit e tjerë, një pjesë e të cilëve janë dënuar më herët.

Për këtë ngjarje, Redjan Rraja është dënuar me burgim të përjetshëm, Ariol Halili me 35 vite burg, ndërsa janë dënuar edhe Ramazan Rraja, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhia, Endrit Sinani dhe Julian Pjetri.

Ndërkohë, një hetim tjetër i SPAK që ende vijon, treguar se një grup i drejtuar nga Aleksandër Laho manipulonte regjistrat e vjetër të pronave në arkivat e Kadastrës për të përvetësuar toka në bregdetin e Durrësit dhe në Tiranë me qëllim shitjen e tyre.